Hapja e Gjykatës Administrative në vend po vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe sigurisë juridike në Kosovë. Përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit dhe ekspertë të fushës juridike theksojnë se funksionalizimi i kësaj gjykate pritet të ndikojë drejtpërdrejt në efikasitetin e trajtimit të kontesteve administrative dhe krijimin e një ambienti më të favorshëm për investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se funksionalizimi i Gjykatës Administrative përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme të viteve të fundit në reformimin e sistemit gjyqësor në vend.
“Funksionalizimi, apo rifunksionalizimi i Gjykatës Administrative gjatë javës së kaluar, mbase brenda këtij shtatëvjeçari, është një prej zhvillimeve më të mëdha, mbase edhe më të rëndësishme – mbase gjëja më e madhe gjatë këtij viti – sa i përket kompletimit të ndryshimit të arkitekturës gjyqësore në Republikën e Kosovës.
Çështja juridike edhe siguria juridike për investitorët nuk është koncept abstrakt, megjithatë është një çështje të cilën ata e prekin ose e përjetojnë në baza të rregullta. Dhe natyrisht, rritja e efikasitetit, ashtu siç është synuar edhe me themelimin e gjykatës së re, besoj që bie si një prej përgjegjësive më të mëdha mbi Gjykatën Administrative si trupë, por natyrisht edhe mbi drejtuesit e saj, në këtë rast mbi zotin Gashi edhe kolegët e tjerë.”
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Administrative të Kosovës, Rexhep Gashi, vlerësoi se kjo gjykatë do të ndikojë në rritjen e mbrojtjes gjyqësore për qytetarët dhe bizneset.
“Unë konsideroj që funksionalizimi i kësaj gjykate natyrisht që përfaqëson një hap të madh drejt sundimit të ligjit, drejt sigurisë juridike dhe avancimit të mbrojtjes gjyqësore të qytetarëve dhe bizneseve në raport me administratën publike. Siç dihet, kontestet administrative i prekin të drejtat dhe interesat e qytetarëve dhe bizneseve në fusha të rëndësishme siç janë: taksat, tatimet, pastaj prona, licencat, prokurimi publik e të gjitha këto. Prandaj, zgjidhja e këtyre kontesteve nga një gjykatë e specializuar, siç do të jetë Gjykata Administrative, me gjyqtarë të specializuar, do të ndikojë që të rritet besueshmëria në gjykata, por njëkohësisht edhe në institucione. Sepse roli primar i vetë Gjykatës Administrative është kontrolli i veprimtarisë së administratës publike, edhe ky kontroll realizohet përmes mbrojtjes gjyqësore që gjykata do t’u ofrojë të gjitha palëve në procedurë që i drejtohen gjykatës.
Unë kisha dashur të theksoj edhe një element tjetër shumë të rëndësishëm sa i përket funksionalizimit të kësaj gjykate. Unë po besoj që, siç dihet, drejtësia administrative në Kosovë me kalimin e kohës nuk e ka pasur peshën e duhur realisht, për shkak edhe të këtyre ndryshimeve ligjore që kanë ndodhur herë pas here. Mirëpo, me reformat dhe ndryshimet e fundit që kanë ndodhur, po besoj që drejtësia administrative do të jetë fokus i sistemit gjyqësor në Kosovë, sepse drejtësia administrative ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit. Dihet që çdo investitor, qoftë vendor apo ndërkombëtar, para se të investojë mjetet e tij financiare në një biznes apo diçka të ngjashme, kërkon që në atë vend të ketë siguri juridike në radhë të parë, pastaj procedurat të jenë të parashikueshme në gjykatë, si dhe të ketë gjykim efikas, domethënë ndarja e drejtësisë të bëhet në një kohë të arsyeshme. Kjo ka qenë sfidë për sistemin tonë gjyqësor vitet e fundit. Njëra ndër arsyet ka qenë edhe për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme, por edhe për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të lëndëve që gjykatat janë ballafaquar ndërkohë”, u shpreh ai.
Avokatja dhe përfaqësuesja e kompanisë “Lex Business”, Vjosa Shkodra, tha se pritshmëritë e bizneseve nga kjo gjykatë janë të mëdha.
“Mendoj që krijimi i saj, pra dyshoj që vizioni i juaj, sikurse Gjykata Komerciale, i bie që është edhe një gjykatë e dytë e specializuar, po themi, për operim profesional në sistemin e drejtësisë. Dhe kjo ka pasë nevojë kritike ndër vite, dhe faktikisht më duket më shumë sikur kemi mësu prej gabimeve gjatë rrugës, edhe kemi parë të rëndësishme që të specializohet edhe një gjykatë. Kjo nënkupton që pritshmëritë e bizneseve janë shumë të mëdha, edhe i kanë sytë tash kah Gjykata Administrative, për shkak të kërkesave të tyre që duan të ketë dy-raportime, duan të kenë parashikueshmëri, duan të kenë një adresë ku munden me trajtu një kontest efektiv. Deri në këtë moment, ose tash, po na përcjell historikisht kjo lënda-kërkesa e madhe, edhe fragmentimi i kontesteve që janë të shpërndara nëpër gjykata themelore në krejt Kosovën. Pastaj, në departamentin administrativ të Gjykatës Komerciale, shpesh ka ndodhë që një kontest të zhvillohet paralelisht me një çështje administrative, me një çështje themelore, domethënë duke mos pasë një objektivitet të detajuar brenda gjykatës. Dhe me sa e pashë edhe ligjin, ky është qëllimi i kësaj reforme. Por, që është reformë shumë e rëndësishme – mirëpo shumë pritshmëri drejt asaj që zbatimi të jetë efektiv. Domethënë, sepse bizneset janë shumë të dekurajuara kur e kanë këtë pasiguri juridike, veç janë të dekurajuara. Çka tjetër është se kam shumë frikë që po na përcjell kjo vjetërsia e lëndëve që janë transferu në Gjykatën Komerciale”, tha ajo.
Ndërkaq, përfaqësuesi i kompanisë “Kroveshi & Partners”, Arben Drini, tha se themelimi i Gjykatës Administrative ka qenë i domosdoshëm edhe në raport me praktikat rajonale dhe ndërkombëtare.
“Nëse shikohet nevojshmëria e themelimit të Gjykatës Administrative në spektrin rajonal dhe ndërkombëtar, atëherë me plot të drejtë duhet të themi që themelimi i kësaj gjykate ka qenë i domosdoshëm. Sepse, nëse shikon shtetet rajonale, të gjitha shtetet rajonale në Ballkanin Perëndimor kanë gjykata të specializuara administrative, madje shumica e tyre kanë edhe shkallën e dytë të specializuar administrative. Në mos gabofsha, përjashtimi i vetëm është Republika Federale e Bosnjë-Hercegovinës që nuk ka gjykatë të specializuar administrative.
Themelimi i Gjykatës Administrative natyrisht i paraprin një sërë reformash legjislative, që kanë qenë hyrja në fuqi e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative paraprakisht, e më pas edhe hyrja në fuqi e Ligjit për Konfliktet Administrative. Jetësimi më efikas i këtyre dy ligjeve bazë të së drejtës administrative, natyrisht që është i mundur vetëm dhe vetëm me një themelim të një gjykate të specializuar administrative sikurse është e paraparë tash”, tha ai.

