Ikona franceze Henry po përgatit eliminimin e vendit të vet

Prishtinë | 09 Kor 2018 | 10:31 | Nga

Është ironi që Thierry Henry, një prej lojtarëve më të mëdhenj të Francës të të gjitha kohërave, është duke përgatitur rënien e vendit të vet në Kupën e Botës në Rusi. Seleksionuesi i Francës, Didier Deschamps, një ish-bashkëlojtar me Henryn, e quan këtë situatë bizare.

Kur Franca të përballet me Belgjikën në St. Petersburg të martën në gjysmëfinale të Kupës së Botës, Henry 40-vjeçar do të jetë në bankinën e Belgjikës, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Ai do të shikojë të ndalë vendin e vet nga arritja në finalen e së dielës.

Kundër tij do të jetë Deschamps, me të cilin luajti përkrah në Përfaqësuesen e Francës që fitoi Botërorin 1998. Deschamps është duke drejtuar Francën si trajner në gjashtë vitet e fundit.

“Është një situatë bizare pasi ai është francez dhe do të jetë në bankinën kundërshtare”, ka deklaruar Deschamps të dielën për “Telefoot”. “Por ai është një person të cilin e vlerësoj shumë dhe jam i lumtur për të”.

Henry, që ka shënuar 51 gola në 123 ndeshje me Francën, luajti për Francën në katër kupa të botës në përgjithësi. Pos titullit të kampionit në vitin 1998, ishte nënkampion në vitin 2006 dhe luajti edhe në botërorët 2002 dhe 2010.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme