Një muaj pasi braktisi Shqipërinë, rrjeti prestigjioz i hotelerisë “Sheraton” ka hyrë zyrtarisht në Serbi. Përmes një investimi 12 milionë euro, marka e njohur botërore ka hapur hotelin e parë në Serbi, në qytetin e Novi Sadit. Sipas deklaratës zyrtare, hoteli do të ketë 150 dhoma dhe do të operojë nën franchise-n e markës më të famshme të hotelerisë në botë, “Marriott International”.
Hoteli i parë Sheraton në Serbi ka 4 kullash. Ai është ndërtuar në një sipërfaqe prej 13 mijë metrash katrorë dhe përmban 6 salla konferencash me kapacitet deri në 800 vende, transmeton Syri.net.
Largimi nga Shqipëria
Rrjeti i njohur i hotelerisë Sheraton u largua nga Shqipëria në 1 Janar 2018! Sipas Shoqatës Shqiptare të Operatorëve Turistik, largimi i Sheraton nga Tirana përbën një nga zhvillimet me negative në industrinë e turizmit gjatë këtyre viteve të fundit.
Bizneset e turizmit fajësuan qeverinë shqiptare për indiferencën ndaj largimit të Sheraton, që sipas tyre për 14 vite me radhë i besoi emrin e vet, një destinacioni problematik dhe me imazh shumë të cenuar siç ishte Shqipëria.
Sipas shoqatës së Turizmit, mungesa e rregullave, standardeve dhe informaliteti ekstrem janë ndër shkaqet kryesore që jo vetëm mbajnë larg Shqipërisë emrat e njohur ndërkombëtarë në fushën e hotelerisë, por çojnë edhe në largimin e atyre që janë prezent.
Sheraton ishte për 14 vite rresht hoteli i parë me 5 yje në Shqipëri, sipas standardit ndërkombëtar.