Shkencëtarët janë një hap afër gjetjes së një trajtimi efektiv për virusin Ebola, pasi dy lloje të ilaçeve kanë treguar sukses 90 për qind në disa testime klinike në Kongo.
Dy llojet e ilaçeve eksperimentale, REGN-EB3 dhe mAb114, janë krijuar duke shfrytëzuar antitrupa të marrë nga të mbijetuarit e virusit, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.
Këto trajtime tani do t’iu ofrohen të gjithë pacientëve në Republikën Demokratike të Kongos, ka thënë Instituti Kombëtar i Shteteve të Bashkuara për Alergji dhe Sëmundje Infektuese.
Këto rezultate pozitive janë shënuar teksa Republika Demokratike e Kongos po përballet për të dytën herë me një situatë të rëndë të përhapjes së këtij virusi.
Anthony Fauci, drejtor i Instituti Kombëtar amerikan për Alergji dhe Sëmundje Infektuese, ka thënë se rezultatet përbëjnë “lajm shumë të mirë” për luftimin e Ebolës.
“Kjo i bie se ne tani duket se kemi gjetur trajtim për një sëmundje, të cilës deri vonë nuk kemi ditur si t’i qasemi”, ka thënë ai.
Agjencia ka thënë se pacientët që janë dërguar në qendra të trajnimit me nivele të ulëta të virusit në gjak, pasi kanë marrë ilaçet, REGN-EB3 dhe mAb114, kanë shpëtuar.
Ndërkohë shkencëtarët kanë vendosur për të mos testuar dy lloje tjera të ilaçeve, pasi bazuar në të dhënat e marra nga 500 pacientë, ata që kanë përdorur REGN-EB3 apo mAb114, “kanë pasur mundësi më të madhe për të mbijetuar”.
Një punëtor shëndetësor duke trajtuar një pacient me virusin Ebola në Guine. Foto nga arkivi.
Një punëtor shëndetësor duke trajtuar një pacient me virusin Ebola në Guine. Foto nga arkivi.
Ebola ka nisur të shpërndahet në lindje të Kongos nga gushti i vitit 2018, dhe shpërndarja e virusit, që tani është kthyer në të dytën më të madhe në histori, ka lënë të vdekur të paktën 1,800 persona.
Përpjekjet për ta kontrolluar atë, janë penguar nga dhuna e milicisë dhe rezistenca lokale.
Shpërthimi më i madh i Ebolës në Afrikën Perëndimore ka ndodhur nga viti 2013 deri më 2016, duke lënë të vdekur më shumë së 11,300 persona në Guine, Liberi dhe Sierra Leone.
Tentimet për trajtim të virusit, që kanë nisur në nëntor të vitit të kaluar, janë duke u kryer nga një grup ndërkombëtar, që është i koordinuar me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Mike Ryan, udhëheqës i programit të OBSH-së për emergjenca, ka thënë se të gjeturat janë pozitive, ndonëse nuk janë të mjaftueshme për t’i dhënë fund epidemisë.
“Lajmet sot janë fantastike. Kjo na ofron të dhëna kundër Ebolës, mirëpo nuk do të ndikojë në zhdukjen e virusit”, ka thënë ai para gazetarëve.
Jeremy Farrar, drejtor i organizatës bamirëse për shëndetësi, Wellcome Trust, po ashtu ka përshëndetur suksesin e të gjeturave, duke thënë se ato “definitivisht do të shpëtojnë jetë”.
“Sa më shumë që mësojnë për këto trajtime, aq më afër jemi që ta kthejmë Ebolën nga një sëmundje të tmerrshme, në një virus të trajtueshëm dhe të parandalueshëm”, ka thënë ai në një deklaratë.
“Ne nuk do të jemi në gjendje ta zhdukim ndonjëherë Ebolën, mirëpo ne duhet të jemi në gjendje ta ndalim përhapjen”.
Rreth 681 pacientë, në katër qendra të ndryshme të trajtimit, veçse janë caktuar për t’u trajtuar në klinikat e Kongos, ka thënë Fauci.
I gjithë studimi pritet të përfshijë 725 persona.