Drejtori i Institutit për Studime Politike në PDK, Ramadan Ilazi, ka bërë me dije se ky institut është themeluar me qëllim për t’i promovuar idetë liberale dhe tregun e lirë nëpërmjet hulumtimeve, botimeve, fushatave multimediale dhe programeve edukative në mënyrë që të kontribuojë në avancimin e procesit të integrimit euroatlantik të Kosovës.
Në një intervistë për gazetën Epoka e Re, Ilazi ka thënë se Instituti për Studime Politike do ta mbështesë PDK-në në zhvillimin e kapaciteteve të brendshme, me qëllim fuqizimin e funksionimit demokratik të saj.
“Partia Demokratike e Kosovës, si partia kryesore në vend, nëpërmjet institutit do ta projektojë fuqinë e saj politike, programin dhe ideologjinë partiake nëpërmjet nxjerrjes së dokumenteve me rekomandime për politikat dhe implementimin e tyre. Sikundër, të nxisë dhe të promovojë një dialog të hapur brenda partiak dhe në shoqëri për rolin e ri që PDK-ja do ta ketë si parti moderne dhe e profilizuar”, ka thënë ndër të tjera Ilazi.
Ilazi ka shtuar se,krahas kësaj, instituti do të angazhohet për anëtarësimin e PDK-së në strukturat evropiane dhe ndërkombëtare të qendrës së djathtë.