Spektri politik nuk ka punuar në ngritjen e imazhit të Kosovës, si dhe në prezantimin e historisë dhe të vërtetës së saj, vlerësojnë njohësit e çështjeve të politikës dhe historisë, raporton Ekonomia Online.
Profesori Universitar Milazim Krasniqi dhe njëherësh njohës i çështjeve politike, në një intervistë për Ekonomia Online, tha që Pavarësia e Kosovës është përmbushja e një ideali shekullor të shqiptarëve.
Sipas Krasniqit përkundër përpjekjeve të Kosovës për zhvillim, vështirësitë kanë qenë shumë të mëdha.
“Pavarësia e Kosovës është përmbushja e një ideali shekullor të shqiptarëve dhe padyshim mbetet një ngjarje që gjithmonë duhet ta festojmë, ta vlerësojmë dhe ta mbajmë në vëmendje si një motiv shtesë për të ecur përpara. Për këto vite Kosova padyshim që ka bërë përpjekje për t’u konsoliduar si shtet, por vështirësitë kanë qenë shumë të mëdha, me vet faktin që nuk u pranua plani i Ahtisarit, faktikisht ka mbetur pa përmbyllur procesi i pavarësimit në OKB, dhe kjo mandej ka prodhuar pasojat në të gjitha nivelet e edhe në BE, ka shtete që nuk e njohin Kosovën, si pasojë Kosova ka mbetur e izoluar, atëherë dhe nuk ka pasur as investime të huaja, liberalizim të vizave, pra për këto vite kanë qenë të rënda, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të dëshpërohemi por të punojmë më shumë për të ecur përpara”, tha Krasniqi.
Mes tjerash, Krasniqi tha që për imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare ka pasur shumë dobësi, dhe nuk është investuar sa duhet.
“Mendoj që në këtë aspekt nuk është bërë mjaftë, mendoj që ka pasur shumë dobësi në prezantimin e Kosovës dhe historisë së saj dhe të vërtetës së saj. Mendoj që elita politike e ka marrë me lehtësi si të mirëqenë faktin që Kosova është e pavarur dhe pastaj nuk është investuar në brendimin e saj, nuk është investuar në tregimin e të vërtetës për të. Normalisht edhe në diplomaci nuk ka pasur një depërtim substancial, kështu që në të vërtetë pozita ndërkombëtare e Kosovës dhe pas 13 viteve mendoj që është shumë e vështirë dhe me shumë sfida përpara”, u shpreh tutje Krasniqi.
Sipas Krasniqit puna e parë që duhet bërë është fuqizimi i shtetit, pasi vetëm në atë mënyrë mund të përfitojnë qytetarët e Kosovës.
“Unë besoj që puna e para është që duhet të fuqizohet ajo që quhet rezoni i shtetet, te ne nuk është fuqizuar sa duhet, pra të gjithë ne duhet të punojmë për fuqizimin e shtetit dhe partitë politike, shoqatat edhe institucionet publike, private e të gjitha duhet të kemi një koncentrim sepse nëse fuqizohet shteti atëherë përfitojmë të gjithë, nëse shteti dështon atëherë dështojmë të gjithë. Kjo filozofi nuk është dominuese fatkeqësisht por duhet të bëhet dominuese në periudhën e ardhshme dhe veçmas me këto ndryshime ndoshta po krijohet një moment i ri për të ndryshuar këtë filozofi ndaj shtetit”, përfundoi Krasniqi.
Në anën tjetër, Shpend Avdiu, historian në Institutin Albanologjik të Kosovës, tha që duke e krahasuar gjendjen para shumë viteve shihet një ndryshim i madh i Kosovës.
Tutje ai thotë që duhet të kalojnë shumë vite që shteti të ketë një traditë më të gjatë për rezultate më të mëdha.
“Po kur të shikohen rrethanat në të cilat ka kaluar Kosova të paktën në 100 vitet e fundit, ose 110 vitet e fundit prej pushtimit të saj nga Serbia në vitin 1912, unë mendoj që ka të arritura shumë të mëdha. Për dy arsye që mendoj që janë shumë me rëndësi me i cek për arsye se qytetarët e Kosovës pikë së pari pasi kanë dalë pas luftës së dytë Botërore deri në vitin 1967, mbi 86% kanë jetuar nëpër fshatra dhe akoma nuk është kryer procesi i urbanizimit të shoqërisë shqiptare”, tha Avdiu për Ekonomia Online.
“Nëse i marrim këto 20 vite ose 13 vite ky proces është gati e në përfundim e sipër i urbanizimit të shoqërisë shqiptare, dhe përpos këtyre, Kosova ka arrit që të jetë vendi më i zhvilluar sa i përket demokracisë, zhvillimit të zgjedhjes, infrastrukturës e shumë të tjera. Po a ka të meta ka, por unë mendoj që duhet me pasë shteti një traditë më të gjatë për m’u arrit këto rezultate”, u shpreh tutje ai.
Ai mes tjerash tha që nuk është bërë sa duhet për ngritjen e imazhit të Kosovës dhe se duhet bërë më shumë.
“Unë mendoj që pak, për dy arsye në një udhëtim që kam pasur në Turqi por edhe në vendet e tjera ka shumë që nuk e dinë që ku ekziston Kosova, e shpesh kanë ngatërruar me vendet tjera. Unë mendoj që është bërë shumë pak, më shumë kanë bërë sportistët edhe të tjerët, sesa që ka bërë politika në ngritjen e imazhit të Kosovës”, theksoi ai.
Si përfundim historiani Avdiu, u bëri thirrje të rinjve dhe elitës politike që mos të harrojnë historinë e vendit, dhe të punohet më shumë për të pasur arritje më të mëdha në vend.
“Të rinjve do u kisha dhënë një mesazh se gjeneratat e kaluara, kanë sakrifikuar shumë për me arrit shtetin e Kosovës, prandaj gjithë të rinjve u bëj thirrje që të punojnë dhe kontribuojnë më shumë për me ruajt atë që është luftuar më herët, por edhe politika që shkojë dhe kjo që erdh me punua më shumë që Kosova të ketë arritje më të mëdha”, përfundoi Avdiu.