Ciro Immobile kthehet në modë për Milanin.
Sulmuesi 28-vjeçar i cili zhvilloi një sezon të shkëlqyer me Lazion duke realizuar 29 gola në Seria A po aq sa edhe Mauro Icardi me të cilin ndau Këpucën e Artë në Itali, pëlqehet shumë nga drejtuesit e klubit kuqezi dhe mund të jetë pikërisht bomberi i kombëtares italiane goditja e madhe e Milanit në sulm në merkaton e kësaj vere.
Me Andre Silvën dhe Nikola Kalinic që janë në dalje dhe me të gjitha gjasat do të largohen nga Milani, drejtori sportiv i klubit milanez Mirabelli është hedhur në sulm për të gjetur një sulmues të ri që do të plotësonte kërkesat që ka trajneri Gattuso.
Megjithatë afrimi i Immobiles nuk do të jetë i lehtë për 7-herë kampionët e Europës të cilët kanë edhe disa alternativa të tjera në rast se nuk arrin dot të bindin Lazion, transmeton “SS”.
Belotti i Torinos i cili vlerësohet nga 50 deri në 60 milionë euro nga presidenti Urbano Cairo pëlqehet gjithashtu nga klubi kuqezi ndërsa Mandzukic e Morata janë dy alternativat e tjera.