Imri Ahmeti: Gazmend Muhaxheri është pas meje…

Prishtinë | 13 Pri 2018 | 15:01 | Nga

Seria e debateve të organizuara nga Kolegji AAB për qeverisjen lokale në Kosovë, ka vazhduar sot me kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.

Gjatë bashkëbisedimit me studentët dhe stafin akademik te Kolegjit AAB, Ahmeti, prezantoi arritjet dhe përpjekjet e tyre për të realizuar planin qeverisës në komunën e Lipjanit. Ai theksoi se për një kryetar komune, sfida kryesore është planifikimi buxhetor me qëllim të zhvillimit të komunës, duke theksuar se në qeverisjen e tij në Komunën e Lipjanit, prioritet kryesor është zhvillimi i arsimit dhe shëndetësisë.

I pyetur nga studentët për të marrur titullin e të parit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai nuk hezitoi dhe u përgjigj se LDK ka kandidat potencial të mjaftueshëm.

“Në fakt e di për përgjigjen e Gazmendit, por, Gazi është mbas meje jo para meje. Ka një lloj teorie që po zhvillohet kohëve të fundit që kinse nuk ka kandidat LDK-ja për kryeministër dhe përgjigja është edhe e imja edhe e Gazmendit se LDK-ja ka kandidat sa të duash, është edhe Gazmendi, edhe ai tjetri, edhe ai tjetri, ka sa të duash kandidat”, tha kryetari Ahmeti.

Kryetari Ahmeti tutje shtoi se siç është tani situata në Kosovë, proceset nuk janë duke ecur përpara si dhe vendit po i shkaktohen telashe me ndërkombëtaret dhe se sipas tij Kosovën e presin zgjedhjet këtë vit.

“Po ballafaqohemi me shumë probleme, me një situatë jo të lehtë edhe politike për shkak të një agjende që po e shohim çdo ditë, për shkak të skandaleve, veprimet duken tepër populliste, shumë pak të mbështetura mbi baza ligjore. Merren vendime, tërheqen vendime, veprime të ndryshme që janë kah i bëjnë dëm shoqërisë dhe këtij shteti, megjithatë unë mendoj se zgjedhjet do të jenë një mundësi e mirë e një rikonfigurimi të ri politik në Kosovë që do të merrte përgjegjësi për të zhvilluar më tutje agjendat shtetërore”, tha Ahmti.

Tutje, i pari i Lipjanit përmendi edhe taksat, ku tha se komuna e Lipjanit është një ndër komunat e pakta në Kosovë që e ka hequr taksën.

“Ne nuk i marrim asnjë lloj takse komunale asnjë biznesi në territorin e komunës së Lipjanit, përveç taksës së tatimit në pronë që është taksë e nivelit shtetëror, por që inkasohet nga nivelet komunale dhe hyn si mjet burimor nga të hyrat vetanake të komunave”, theksoi Ahmeti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme