Është inauguruar hapësira e re publike “DeepSpace”, një qendër e dedikuar për edukim digjital, inovacion dhe zhvillim të aftësive të gjeneratave të reja, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pasi preu shiritin në një konferencë për media, tha se kjo hapësirë kontribuon në të menduarit për arsimin.
“Sot nuk po inaugurojmë thjesht një hapësirë të re. Sot po hapim një mënyrë të re të të menduarit për arsimin, krijimtarinë dhe të ardhmen e qytetit tonë. Sot, Prishtina hap një dritare drejt së ardhmes, një hapësirë ku dija nuk mbetet në libra, arti nuk qëndron në mure dhe teknologjia nuk kufizohet në ekrane, por ku të gjitha bashkohen në një përvojë njerëzore. DeepSpace është pikërisht kjo: një hapësirë pa kufij, ku mësimi bëhet përjetim, krijimi bëhet bashkëpunim dhe imagjinata merr formë konkrete. Në këtë hapësirë, nxënësit dhe studentët e Prishtinës nuk mësojnë më vetëm duke dëgjuar, por duke përjetuar. Ata mund të udhëtojnë nëpër univers, të eksplorojnë strukturën e jetës, të hyjnë në brendësinë e trupit të njeriut apo të kuptojnë botën nga perspektiva të reja, të thella dhe gjithëpërfshirëse. Këtu, arsimi shndërrohet në aventurë emocionale, kreative dhe moderne. DeepSpace krijon mundësinë e zhytjes në dije, një lidhje të drejtpërdrejtë mes dijes dhe vetëdijes, mes teorisë dhe realitetit, mes imagjinatës dhe aftësisë për të ndërtuar. Por kjo hapësirë nuk është vetëm për nxënësit. Kjo është një skenë e re për artistët, muzikantët, dizajnerët, programerët, arkitektët dhe krijuesit e rinj. Një vend ku arti digjital, muzika, artet figurative dhe teknologjia bashkohen në forma të reja shprehjeje. Ku publiku nuk është vetëm spektator, por pjesë aktive e përvojës. Këtu lindin ide të reja. Këtu po ndërtojmë më shumë se aftësi konkurruese në tregun global po hyjmë në listën e prijësve në zhvillimet teknologjike. Këtu brezat e rinj mësojnë jo vetëm të konsumojnë teknologji, por ta krijojnë atë”, theksoi Rama.
Rama përmendi edhe bashkëpunimin me UNDP-në.
“Ky projekt lindi nga bindja jonë se Prishtina rritet kur investon në mendjen e të rinjve, në krijimtarinë e tyre dhe në teknologjitë që hapin horizonte afatgjata. DeepSpace është shprehje e këtij vizioni dhe e vendos kryeqytetin tonë në hartën e qyteteve që udhëheqin me dije, ide dhe guxim. Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e ngushtë me UNDP-në, pa vizionin dhe përvojën e jashtëzakonshme të Ars Electronica-s, dhe pa frymën evropiane të bashkëpunimit që lidh Prishtinën me Linzin dhe me botën. Sot, objekti i ish-Gërmisë merr një identitet të ri si qendër e inovacionit, e kulturës bashkëkohore dhe e mendimit përpara. Një dëshmi se hapësirat publike, kur ka vizion, mund të shndërrohen në motorë zhvillimi”, tha ai.
Dudley Tarlton nga UNDP-ja përgëzoi komunën dhe përmendi rëndësinë e këtij projekti.
“Ky investim është i mirëseardhur dhe u krijon mundësi studentëve dhe shkencëtarëve të rinj që të arrijnë shumë për sa i përket përvojave të tyre. Si UNDP, jemi krenarë dhe i përgëzojmë ekipin e Ars Electronica-s dhe komunën për bashkëpunimin në sjelljen e një investimi të tillë në Prishtinë. Mirë se vini në DeepSpace”, tha ai.



