Inaugurohet Parku Industrial në Viti, investim 1.7 milionësh nga Ministria e Industrisë

Viti | 19 Dhj 2023 | 12:26 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është inauguruar Zona Ekonomike në Budrikë të Vitisë, e cila do të jetë funksionale për bizneset e Vitisë dhe rrethinës. Vlera e këtij investimi kap shifrën e 1.7 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se investimet në këtë Park kanë krijuar hapësira të gatshme dhe të përshtatshme për vendosjen e bizneseve vendore dhe të huaja, duke bërë kështu një klimë të favorshme të të bërit biznes në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ky Park do të jap një kontribut të jashtëzakonshëm për rritjen dhe zhvillimin ekonomik dhe rajonal.

Hapësirë prej 16 hektarësh, tha ai do të shfrytëzohet nga bizneset që aty do të gëzojnë energji elektrike ujë e internet dhe shërbime të tjera. I pari i Qeverisë potencoi se po mbështesin vazhdimisht bizneset për investime të qëndrueshme.

“Këtë fundvit këtu në Budrikë të Vitisë po e përmbyllim me punë të mira dhe të dobishme për bizneset tona, përkatësisht për qytetarët tanë e punëtorë të vyer. Parku industrial i sapo ndërtuar këtu do të jap një kontribut të jashtëzakonshëm për rritjen dhe zhvillimin ekonomik dhe rajonal”.

“Këtë park që sot po e inaugurojmë, është investim kapital prej 1.7 milionë euro në një hapësirë prej 16 hektarë, do t’i mbështesë investimet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme nga diaspora dhe investimeve të huaja, do të ofrojë punësim të të rinjve tanë. Bizneset që do të operojnë këtu, të përqendruara në një zonë dhe bizneset tjera në parqet tjera industriale në Kosovë, gëzojnë qasje më të lehtë në transport, energji elektrike ujë e internet dhe shërbime të tjera. Falë këtij Parku, ato të do të kursejnë deri në 30 për qind të investimit të tyre në total”, tha Kurti.

“Në veçanti, ky park që sot e inaugurojmë, investim kapital prej 1.7 milionë eurosh nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me hapësirë prej 15.5 hektarë këtu në Komunën e Vitisë do të mbështesë investimet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme të bizneseve tona nga diaspora dhe investime të huaja, mandej do të nxisë veprimtarinë prodhuese dhe përpunuese me teknologji të përparuar, do të ofrojë punësim dhe aftësim për të rinjtë tanë si shtyllë e zhvillimit dhe e transformimit progresist të vendit tonë, si dhe do të rrisë bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe promovimin e tyre për një eko-sistem inovativ, me rritje të konkurrueshmërisë për më shumë eksporte e më pak deficit tregtar”, tha Kurti.

Ai tha se “inaugurime të ngjashme do të kemi në vazhdimësi”.

Më pas, Kurti foli për rritje të qarkullimit të bizneseve, në vazhdën e argumentimit që po përpiqet ta bëjë së fundmi se shteti, sipas tij, është pasuruar.

“Me qeverisjen tonë të deritanishme, qarkullimi i bizneseve ka vazhduar të rritet. Gjatë periudhës janar-tetor 2023, ai ka rritur vlerën për 15.3 miliardë euro, apo gati 7 për qind më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, tha Kurti.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se kjo zonë do të bëhet tërheqëse për investimet të përgjegjshme e nga diaspora, raporton EO.

“Kjo Zonë së shpejti presim të shndërrohet në një zonë miqësore për mjedisin dhe të popullohet me bizneset tona, duke u bërë kështu tërheqëse edhe për investimet të përgjegjshme e nga diaspora”.

Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, për këtë park nuk la pa i falënderuar edhe ish-kryeministrat e ish-ministrat. Ai pret që ky Park, siç tha të lulëzojë me biznese të reja.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Këtë fundvit, këtu në Budrikë të Vitisë, po e përmbyllim me punë të mira e të dobishme për bizneset tona, përkatësisht për qytetarët tanë, ndërmarrës e punëtorë të vyer.

Parku Industrial i sapo ndërtuar këtu, do të japë një kontribut të rëndësishëm për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe rajonal. Në veçanti, ky park që sot e inaugurojmë, investim kapital prej 1.7 milionë euro nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në hapësirë prej 15.5 hektarë, pra 15 hektarë e gjysmë, këtu në komunën e Vitisë:

i)    do të mbështesë investimet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme të bizneseve tona, nga diaspora dhe investime të huaja; mandej

ii)   do të nxisë veprimtari prodhuese dhe përpunuese me teknologji të përparuar;

iii)  do të ofrojë punësim dhe aftësim për të rinjtë tanë si shtyllë e zhvillimit dhe transformimit progresist të vendin tonë; si dhe

iv)  do të rrisë bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe promovimin e tyre, për një ekosistem inovativ me rritje të konkurrueshmërisë, për më shumë eksporte e më pak deficit tregtar.

Bizneset që do të operojnë këtu në këtë park industrial, të përqendruara në një zonë, dhe biznese tjera në parqet industriale në Kosovë, gëzojnë qasje më të lehta në transport, energji elektrike, ujë, internet dhe shërbime të tjera. Falë këtij parku, ato do të kursejnë deri në 30% të investimit të tyre total.

Përveç bizneseve, bashkë me to do të përfitojnë edhe të rinjtë tanë. Ky park industrial do të ofrojë hapësirë të inkubimit dhe krijimit të bizneseve fillestare. Kështu, të rinjtë tanë do të kenë më shumë mundësi të reja në vend, më përpara e në vend se t’i kërkojnë ato jashtë vendit.

E këtë hapësirë që po e inaugurojmë sot, do ta gëzojnë së shpejti, përmes thirrjeve publike, rreth 30 biznese.

Ky nuk është as investimi i parë dhe as i fundit në shërbim të bizneseve. Organizime e inaugurime të ngjashme do të kemi në vazhdimësi.

Në tri vitet e ardhshme, do të investojmë edhe 33 milionë euro për ndërtimin e parqeve të reja industriale dhe teknologjike. Përmes tyre, po ofrojmë hapësirë shtesë për biznese dhe po nxisim edhe më shumë ndërmarrësinë, parakushte këto për punësim, zhvillim dhe transformim.

Ndërkohë, që me qeverisjen tonë të deritanishme, qarkullimi i bizneseve ka vazhduar të rritet. Gjatë periudhës janar–tetor 2023, pra sivjet, ai ka arritur vlerën prej 15.83 miliardë euro, apo gati 7% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Me dyfishim të eksporteve, raporti i eksporteve me importe është përmirësuar nga gati 1.9 sa ishte, në edhe më mirë se  1 me 6, pra nga 1 me 9 në 1 me 6. Është dyfishuar edhe numri i të rinjve të punësuar, pra të rinjve që janë nën moshën 25 vjeçare. Në fillim të vitit 2021 ishin 28,293 persona të rinj të punësuar, kurse në fund të korrikut, sivjet 2023, numri i të rinjve të punësuar ishte 60,884. Viti i ardhshëm është viti i parë ku do të arrihet një shifër dyshifrore miliardëshe e Bruto Produktit Vendor.

Këto janë rezultate që kanë arsye, jo rastësi. Kjo është përgjigja e sektorit privat dhe ekonomisë ndaj masave të mbështetjes sonë, që në këta gati 34 muaj qeverisje nuk ka munguar asnjëherë, veçse kanë ardhur në forma të ndryshme. Mbështetëm punësimin e të rinjve përmes platformës SuperPuna, të grave, të personave me aftësi të kufizuara dhe të anëtarëve të familjeve pa asnjë të punësuar. Subvencionuam pagën e rritur në sektorin privat; mbështetëm bizneset në zgjerimin dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit e të eksportit; në promovimin e produkteve tyre në panaire ndërkombëtare; në blerjen e pajisjeve për efiçiencë të energjisë, teksa u siguruam që faturat e energjisë elektrike për ta të jenë më të lirat në rajonin e Ballkanit.

Jam i bindur që edhe ky park, të cilin po e inaugurojmë sot këtu së bashku në Budrikë të Vitisë, do të jetë një nga mundësitë dhe arsyet e progresit dhe zhvillimit, andaj urime të gjithëve e ju faleminderit!

Të ngjashme