Koalicioni PDK-AAK-Nisma edhe në një sondazh ka dalë i pari. Por, këtë herë, ketë renditje ia ka dhënë një organizatë e afërt me Vetëvendosjen e Visar Ymerit. Index Kosova, që menaxhohet nga Visar Berisha – i cili për një kohë i ka shërbyer Shpend Ahmetit, si drejtor i Financave në Komunën e Prishtinës – ka parashikuar se PDK me partnerë do t’i fitojnë bindshëm zgjedhjet e 11 qershorit.
Kompania private e hulumtimeve dhe sondazheve, Index Kosova, ka publikuar hulumtimin e fundit, të realizuar me qytetarë lidhur me zgjedhjet e 11 qershorit.
Kjo kompani drejtohet nga Visar Berisha, që për një kohë i ka shërbyer Shpend Ahmetit, si drejtor i Financave në Komunën e Prishtinës. Berisha po ashtu dikur ka qenë edhe aksionar bashkë me Shpend Ahmetin në biznesin Kafe-bar Filikaqa.
Kompania e Berishës ka parashikuar se zgjedhjet e parakohshme do të fitohen nga koalicioni PDK-AAK-Nisma. Vetëvendosja, sipas saj, del e dyta, kurse koalicioni LDK-AKR i treti.
Nga 986 të anketuar, në pyetjen “Nëse zgjedhjet për Parlament të Kosovës do të mbaheshin nesër, për cilën parti do të votonit?”, 25 % janë deklaruar se do të votonin për koalicionin PDK-AAK-Nisma, 17% për Lëvizjen Vetëvendosje, 16 % për koalicionin LDK-AKR dhe 1% për partitë e tjera.
Index Kosova, po ashtu ka treguar se nëse merren parasysh vetëm të anketuarit që kanë deklaruar për cilën parti do të votonin, rezultati potencial do të dukej kësisoj:
“Për koalicionin PDK-AAK-Nisma do të votonin 43%, për Lëvizjen Vetëvendosje 29%, për koalicionin LDK-AKR 27%, , ndërsa për partitë tjera 1%”, thuhet në raportin e Index Kosova.
Në njoftim thuhet se për hulumtimin që u zhvillua në maj të 2017 e ku nuk morën pjesë serbët, metoda e mbledhjes së të dhënave ishte intervista ballë për ballë ndërsa që procedura e mostrës ishte metoda shumë shkallëshe e rastit.