Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka dërguar një mesazh të veçantë për kombëtaren e Argjentinës pas humbjes në finalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës.
Argjentinasit u mposhtën 1-0 pas vazhdimeve, falë golit të Ferran Torres, duke mos arritur ta mbrojnë titullin botëror që e kishin fituar në Katar në vitin 2022.
Finalja u shoqërua me tensione dhe incidente të shumta. Enzo Fernandez u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Pau Cubarsit, ndërsa Leandro Paredes u përfshi në përleshje me disa futbollistë të Spanjës pas fishkëllimës së fundit.
Situatat kontroverse vazhduan edhe gjatë ceremonisë së ndarjes së trofeut, pasi lojtarët e Argjentinës zgjodhën të kthenin shpinën dhe të shikonin drejt tifozëve të tyre, në vend që të ndiqnin ngritjen e trofeut nga Spanja, gjest që ngjalli shumë reagime.
Megjithatë, Gianni Infantino vendosi të fokusohej te paraqitja sportive e Argjentinës dhe jo te polemikat.
Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, presidenti i FIFA-s shkroi: “Çfarë turneu i jashtëzakonshëm nga kombëtarja e Argjentinës në Kupën e Botës! Një rikthim i paharrueshëm dhe një shpirt luftarak që frymëzoi miliona njerëz, duke u dhuruar tifozëve të futbollit në mbarë botën momente të paharrueshme që nuk do të fshihen kurrë nga kujtesa”.
Në fund të mesazhit të tij, Infantino shtoi: “Rikthimi në finalen e Kupës së Botës pas fitimit të titullit në edicionin e vitit 2022 është dëshmia më e mirë e nivelit të lartë dhe vazhdimësisë së futbollit argjentinas. Faleminderit për kontributin tuaj që e bëtë këtë turne kaq të veçantë dhe për faktin që luftuat me kaq shumë pasion deri në momentet e fundit”.