Pavarësisht se shkalla e inflacionit në Kosovë është 1.5 për qind, kjo nuk shihet problem për vendin. Derisa shkalla mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2017 ishte 1.5 për qind.
Njohës të çështjeve ekonomike, kanë thënë se me këtë shkallë të rritjes së inflacionit nuk ka rreziqe.
Profesori universitar, Muhamet Mustafa, tha për Telegrafin se rritja e inflacionit është në kushte normale. Sipas tij, me këtë shkallë të rritjes së inflacionit nuk mund të ketë probleme dhe ai është nën kontroll të plotë.
“Në përgjithësi rritja e inflacionit në Kosovë është në suaza normale, që do të thotë nën 2 për qind në baza vjetore. Mund të thuhet se inflacioni është në kontroll dhe kjo më së shumti ndodhë sepse Banka Qendrore e Kosovës, nuk emiton para, kështu që sasia e parasë në qarkullim ndjek lëvizjen e prodhimit dhe aktiviteteve ekonomike, por në qarkullim nuk ka një sasi të tepërt të parasë, që do ta rriste kërkesën për mallra dhe do të ndikonte edhe në rritje më të madhe të çmimeve, përkatësisht inflacionit”, ka thënë profesori Mustafa.
Por sipas tij, duhet të ketë një qeverisje të kujdesshme makroekonomike sa i përket inflacionit, në të kundërtën situata mund të del jashtë kontrollit.
“Një qeverisje e kujdesshme makroekonomike do ta mund ta përdorte politiken monetare [emetimi i parasë] për ta rritur kërkesën e me këtë rritjen ekonomike dhe punësimin, por nëse kjo kalon kufijtë, nëse inflacioni bëhet dy shifror atëherë vjen deri te jostabiliteti ekonomik dhe kriza e përgjithshme ekonomike, si rezultat i kësaj situata do të dal jashtë kontrollit. Ne nuk kemi shenja të tilla dhe Qeveria jonë nuk mund të veprojë kështu dhe në situatën që jemi është më mirë që nuk mund të shtypim para”, tha Mustafa.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në muajin mars 2018, çmimet e konsumit në Kosovë u rritën me 0.1 për qind nga viti në vit. Çmimet e konsumit u rritën më shpejt për ushqime e pije joalkoolike dhe transport.
“Inflacioni ishte i qëndrueshëm për pije alkoolike dhe duhan me 1.9 për qind, restorante dhe hotele me 1.5 për qind dhe arsim me 0.8 për qind. Pra, në baza mujore, çmimet e konsumit u rritën me 0.1 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së, për çmimet e konsumit.
Gjithashtu, në raportin e fundvitit thuhet se janë vërejtur ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve krahasuar me vitin paraprak.
“Ngritje e çmimeve të konsumit në bukë dhe drithëra ishte 3.6 për qind, mish me 0.8 për qind, pemë me 13.6 për qind, kafe, çaj dhe kakao me 7.8 për qind, duhan me 3.9 për qind, përdorim i pajisjeve për transportin personal me 1.4 për qind, si rezultat i ngritjes së çmimit të naftës dhe benzinës, shërbimet për transport me 3.2 për qind me një ndikim të përbashkët prej 1.3 për qind në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve dhe Konsumit”, thuhet në raport.
Inflacioni parqet rritjen e vazhdueshme e çmimeve të përgjithshme, ku me një sasi të caktuara të parave mund të blihen më pak prodhime se para zhvleftësimit.
Sipas, Trading Economics, bazuar në modelet makroekonomike dhe analizën e pritjeve, vlerësimet janë se inflacioni në Kosovë deri në fund të këtij tremujori pritet të jetë 2.2 për qind.
“Nga këto pritje del se niveli i inflacionit prej 2.6 do të arrijë në 12 muajt e ardhshëm. Në periudhë afatgjatë, norma e Inflacionit është parashikuar të arrijë në 2.6 për qind deri në vitin 2020”, thuhet në parashikimin e Trading Economics.