Autoritetet komunale të Prizrenit të martën kanë bërë të ditur se është hequr masa e përkohshme e caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për pezullimin e Planit Zhvillimor Komunal.
Sipas tyre, eliminimi i kësaj mase ka bërë që të zhbllokohet edhe procesi i dhënies së lejeve ndërtimore, pas një periudhe afro 6- mujore, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një konferencë shtypi, ka pohuar se ekzekutivi lokal ka arritur që ta tejkalojë situatën e rëndë të krijuar pas masës së përkohshme të gjyqësorit, që kishte pezulluar PZHK-në, duke pamundësuar kështu dhënien e lejeve të ndërtimit në gjithë territorin e Komunës së Prizrenit.
“Kjo marrëveshje është arritur pas përpjekjeve intensive të Komunës dhe bashkëpunimit me kompaninë e hekurudhave NP IHK ‘Infrakos’ SH.A., e cila është pajtuar që të arrihet pajtimi gjyqësor në gjykatë, me ç‘rast është tërhequr padia dhe Komuna e Prizrenit, do të bëjë realizimin e obligimeve të dala nga takimet e mbajtura dhe të përcaktuara me këtë marrëveshje. Kësisoj edhe është zhbllokuar puna e Komunës së Prizrenit, përkatësisht DUPH-së për dhënien e lejeve ndërtimore”, ka thënë kryetari Haskuka. Sipas tij, nga dita e martë qytetarët e Komunës së Prizrenit e kanë të drejtën për t’u pajisur me leje ndërtimi.