Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar nga nënkryetari dhe disa nga drejtorët, inspektuan sot punimet që po bëhen në asfaltimin e rrugës “Sali Çekaj”.
Aliu, i cili shoqërohej dhe nga nënkryetari i Komunës, Naim Ferati; drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi; dhe drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili, e vlerësoi këtë rrugë të një rëndësie të veçantë për komunitetin dhe këtë zonë në përgjithësi.
Gjatë këtij inspektimi, punëkryesit njoftuan hollësisht drejtuesi e Komunës si po shkon projekti, ritmin e punës dhe punët e përfunduara.
Sipas një njoftimi nga Komuna e Ferizajt, kryetari Aliu u shpreh i kënaqur me dinamikën e punës dhe cilësinë e punimeve. Ai ka theksuar se Komuna e Ferizajt është e vendosur që çdo projekt infrastrukturor ta mbikëqyrë vazhdimisht, veçanërisht në cilësinë e punimeve për të siguruar përfundimin me kohë, të plotë e sipas standardeve të projekteve infrastrukturore të filluara.