Inspektorati Komunal i Pejës ka nisur aksionin për largimin e shitësve ambulantë dhe mallrave të ekspozuara para dyqaneve në hapësirat publike në tërë qytetin e Pejës.
Në disa pjesë të qytetit veç janë larguar tavolinat e shitësve ambulantë dhe mallrat e ekspozuara, shkruan sot “Koha Ditore”.
Nga ky aksion është liruar edhe hapësira publike nga shitësit ambulantë dhe mallrat e ekspozuara të dyqaneve në afërsi të Shtëpisë së Mallrave, nëpër Çarshinë e Gjatë, si dhe nëpër disa trotuare përgjatë rrugës kryesore duke u nisur nga stacioni i autobusëve e lart.
“Kemi nisur largimin e shitësve ambulantë dhe tavolinave me mallra të ekspozuara gjithkah nga janë hapësirat publike. Aksioni është për tërë qytetin për t’i liruar hapësirat publike dhe trotuaret nga shitësit ambulantë dhe ekspozimi i mallrave para dyqaneve. Këtë aksion jemi duke e zhvilluar çdo ditë dhe qytetarët duhet të vetëdijesohen se hapësirat publike nuk mund shfrytëzohen kundërligjshëm”, thotë Leotrim Murtezaj, drejtor i Inspektoratit Komunal.