Inspektorati ndalon 59 policë trafiku për marrje ryshfeti

Prishtinë | 19 Dhj 2016 | 16:45 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) bën të ditur se 59 zyrtarë të policisë janë marrë në pyetje si të dyshuar për keqpërdorim detyre. Ndaj tyre është kërkuar edhe masa e pezullimit nga puna, ka konfirmuar kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Hilmi Mehmeti, në një konferencë me gazetarë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se të gjithëve iu është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh dhe për ta do të vendosë prokuroria.

35 policë janë shqiptarë, 23 të komunitetit serb dhe një boshnjak. Mehmeti saktësoi se ndër të ndaluarit 20 janë policë të Njësitit për Kontroll të Autostradave; 20 nga Njësiti Rajonal i Trafikut të Mitrovicës së Veriut; 15 nga Njësiti Rajonal i Trafikut të Mitrovicës së Jugut dhe 4 policë nga Njësiti Rajonal i Trafikut të Prizrenit.

Kryeinspektori Mehmeti tregoi se Prokuroria e Mitrovicës dhe ajo e Prizrenit kanë nisur hetimet prej më shumë se katër muajsh, pas “njoftimeve të qytetarëve se zyrtarët policorë kanë marrë ryshfet”.

“Pas autorizimit nga prokurorët, hetuesit e Policisë kanë zhvilluar hetime duke zbatuar masa të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit. Nga zbatimi i këtyre masave ka realizuar me grumbullimin e provave materiale, audio dhe video-incizime, të cilat vërtetojnë dyshimin e bazuar, se një numër i madh i zyrtarëve policorë nga këto njësi janë të involvuar në veprime kriminale, që ndërlidhen me veprat penale keqpërdorim I pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti”, tha Mehmeti.

ipk

Inspektorati Policor i Kosovës do të paraqesë në Prokuroritë kompetente kallëzime penale ndaj 59 zyrtarëve policorë për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 Kodit Penale të Republikës së Kosovës dhe “Marrje e ryshfetit”, nga neni 428, si dhe “Dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 388.

Po ashtu, kallëzime penale do të bëhen edhe ndaj 30 qytetarëve për veprën penale “dhënie e ryshfetit”.

Kryeprokurori i Prokurorisë në Mitrovicë, Shyqyri Syla, ka shprehur keqardhjen që një numër i madh i policëve është i përfshirë, kur dihet se policia është konsideruar si institucioni më i besueshëm deri më tani.

“Kjo nuk do të thotë se do të zbehet besueshmëria e policisë, por hetimet kanë treguar se vërtet ishte një përzierje e madhe e zyrtarëve policorë në marrjen e ryshfetit, po ashtu edhe e qytetarëve në dhënien e ryshfetit”.

Krahas kryeprokurorit të Mitrovicës, rajon ky nga vijnë shumica e policëve të dyshuar, në konferencë është paraqitur edhe kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha. Ai nuk dha shumë detaje, përveç që tha se policët janë nga Njësiti për Kontroll të Autostradave.

 

Prokurorët thanë se nuk dihet vlera sa është dëmtuar buxheti i Kosovës. “Nuk janë shkruar tiketa të cilat e kanë merituar të shkruhen, por nuk ende nuk e dimë saktë sa është vlera e përvetësuar”, tha Shyqyri Syla.

Qeveria: Aksioni dëshmon përkushtimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Qeveria e Kosovës e ka përshëndetur aksionin e Inspektoratit Policor të Kosovës dhe organeve tjera shtetërore.

Në një komunikatë për media të Zyrës e Kryeministrit thuhet se “duke mos dashur që të ndikojë në asnjë formë në punën e organeve kompetente kushtetuese dhe ligjore, Qeveria e Kosovës vlerëson se këto veprime ligjore janë dëshmi e përkushtimit të pakompromis të institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”

Qeveria e Kosovës, thuhet ndër të tjera në komunikatë, konsideron se veprimet e ndërmarra nga Inspektorati Policor dhe organet tjera shtetërore ndaj zyrtarëve të Policisë nuk e zbehin besimin e qytetarëve te Policia, përkundrazi dëshmojnë profesionalizmin dhe përkushtimin e plotë të saj për luftimin e dukurive negative dhe ruajtjen e integritetit të Policisë së Kosovës.

Të ngjashme