Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se sipas gjetjeve të deritashme nga hetimet, nuk ka ndonjë element të ndonjë veprimi të kundërligjshëm nga ana e policëve, në rastin e vrasjes së dyfishtë në Brekoc të Gjakovës.
Më 7 gusht, Pjetër Nrecaj kishte vrarë bashkëshorten dhe të bijën, ndërsa menjëherë ishin ngritur protesta se përse viktimave nuk iu ishte ofruar siguria nga policia, edhe pse e kishin raportuar më herët Nrecajn për kërcënim.
IPK ka thënë se në orët e pasdites, në ditën e vrasjes, “viktima V.M. Nrecaj bashkë me vëllanë kishte kontaktuar policinë duke potencuar se ka pranuar mesazhe elektronike (ku pos mesazhit kërcënues kishte edhe mesazhe me përmbajtje të lutjes për t’u kthyer viktima në familje) nga i dyshuari P.Ndrecaj (bashkëshorti i saj)”.
Sipas IPK-së, i dyshuari në datën e njëjtë kishte shkuar te shtëpia e prindërve të viktimës së bashku me disa të afërm të tij dhe kishte kërkuar nga e njëjta që të kthehet te shtëpia e tij në fshatin Bitesh.
IPK thotë se ishte iniciuar rasti “Kanosje” dhe kishin nisur veprimet operative, ku fillimisht policët kishin shkuar te shtëpia e të dyshuarit që ta shoqëronin në polici, por nuk e kishin gjetur aty. Më pas, IPK thotë se policia është munduar ta gjejë përmes telefonit, por as aty nuk ishte lajmëruar.
“Duke ju referuar shkresave të rastit nga Policia e Kosovës është vërtetuar se viktima as në datën kritike nuk kishte kërkuar mbrojtje nga ana e zyrtarëve policorë.E gjithë kjo përpjekje e zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjakovë për ta hasur dhe kontaktuar të dyshuarin P.Ndrecaj ka vazhduar deri pas orës 18:30 të datës 07.08.2018”, thuhet më tej në raportin e IPK-së, që shton se për të gjitha këto veprime është informuar prokurorja kujdestare, ku nga ajo s’është kërkuar veprim shtesë lidhur me këtë rast.
“Sipas të gjeturave rezulton se tani për tani nuk ka element të ndonjë veprimi apo mosveprimi të kundërligjshëm nga ana e zyrtarëve policor nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës. Këto të gjetura që hetuesit e IPK-së i kanë identifikuar si rezultat i veprimeve hetimore dhe dokumentacioneve të siguruara nga Policia e Kosovës i janë prezantuar Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës dhe i njëjti ka potencuar se tani për tani nuk kemi element të ndonjë veprimi apo mosveprimi të kundërligjshëm nga ana e zyrtarëve policor nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës”, thuhet në fund të reagimit.
IPK-ja thotë se do të vazhdojë hetimet dhe analizimin e çdo veprimi apo mosveprimi të policëve deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.