Institucionet qendrore të kulturës edhe për vitin që vjen do të kërkojnë buxhet më shumë sesa Ministria e Kulturës planifikon të ketë në kuletë. Sipas Projektligjit për buxhetin e vitit 2019, MKRS-ja për kulturën institucionale ka projektuar si subvencione 2 milionë e 85 mijë euro, sikurse sivjet. Shtatë nga tetë institucionet qendrore të kulturës për këtë vit kishin kërkuar mbi katër milionë euro. Por edhe për vitin që vjen planifikojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Ato kërkojnë rreth 5 milionë euro.
Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, në çdo takim që ka pasur me udhëheqësit institucionalë ka premtuar se do të ketë rritje të buxhetit. Por planifikimet zyrtare nuk korrespondojnë me premtimet e Gashit, i cili tash 16 muaj drejton MKRS-në.
Teatri Kombëtar i Kosovës planifikon të kërkojë më shumë se dyfishin e buxhetit që kishte në dispozicion për këtë vit. Kryetari i Këshillit Drejtues të TKK-së, Fisnik Ademi, ka thënë se “planifikojmë të kërkojmë diku rreth 700 mijë euro”; Baleti Kombëtar i Kosovës, që zhvillon veprimtarinë nën të njëjtin kulm me TKK-në, planifikon që për vitin që vjen të kërkojë 300 mijë euro buxhet; Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” do të kërkojë fiks 350 mijë euro;
Qendra Kinematografike e Kosovës, sikurse edhe viteve të kaluara, prin me kërkesën më të lartë për buxhet. “Për vitin që vjen QKK-ja ka kërkuar 2.8 milionë euro”, ka thënë drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku;
Galeria Kombëtare e Kosovës do të kërkojë mbi 300 mijë euro ;
Filarmonia e Kosovës për sivjet kishte kërkuar 400 mijë euro, e ishte përkrahur me 300 mijë. 29 mijë më pak sesa më 2017. Për këtë arsye ky institucion ende nuk ka bërë një kërkesë buxhetore. Drejtori i Filarmonisë, Baki Jashari, ka thënë se “Ne na duhet buxhet më i madh, pasi synojmë që të dalim më shumë jashtë vendit”.
“KosovaFilmi” viteve të fundit është përkrahur me nga 10 mijë euro buxhet.
Për vitin e ardhshëm buxheti i MKRS-së ka rritje prej 6 milionë eurosh dhe do të ketë efekt në të gjitha dikasteret.