Institucionet shtetërore kanë rol kyç në reformimin e sektorit të edukimit në vend

Prishtinë | 24 Dhj 2019 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Rezultatet e testit PISA duhet të shërbejnë si pikë referimi për institucionet shtetërore në rishikimin e sistemit arsimor në vend. Kjo u tha gjatë një tryeze të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në të cilët u diskutua për rezultatet alarmuese të vendit në testin e fundit të Programit për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve PISA dhe ndikimit të tyre në sektorin privat.

Besnik Krasniqi, hulumtues i çështjeve ekonomike si dhe profesor universitar, tha se rezultatet e testit PISA nuk janë aspak befasuese duke e marrë parasysh se zhvillimi i programeve dhe i metodologjisë së mësimdhënies në Kosovë nuk i aftëson nxënësit për të aplikuar dijen praktike në kontekst specifik. Ai shtoi se zhvillimi joadekuat i aftësive kreative tek nxënësit ka implikime edhe në sektorin privat, i cili në anën tjetër nuk mund të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit pa një rol proaktiv të institucioneve shtetërore për dialogu në këtë aspekt.

Gresa Statovci, konsulente e arsimit, tha se shikuar nga kënvështrimi ekonomik, përmirësimi i cilësisë së arsimit është parametri kryesor për zhvillimin e mëtejmë të vendit. Ajo shtoi se në kuadër të përpjekjeve për përmirësim të gjendjes së sistemit arsimor, Kosova është duke e implementuar kornizën e kurrikulës së re të arsimit, e cila me përmirësime adekuate do të sjellte rezultate më të mira në testin PISA, dhe  rrjedhimisht një fuqi punëtore më të përgatitur. Statovci theksoi se është e domosdoshme që në hartimin e politikave të arsimit të përfshihet edhe sektori privat në mënyrë që të zvogëlohet hendeku ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tregun e punës.

Në anën tjetër, psikologu si dhe profesori universitar, Naim Telaku, nga aspekti psikologjik i elaboroi disa faktorë të cilët mund të kenë ndikuar në rezultate të dobëta në testin e PISA-s, siç janë kurrikula e papërshtatshme, përdorimi jo i duhur i teknologjisë, vështirësitë emocionale dhe mos funksionimi i trekëndëshit prind-fëmijë-mësimdhënës. Shpesh herë roli i mësimëdhënësve dhe qasja e tyre si autoritet i pakontestueshëm rezulton në demotivim të nxënësve, të cilët në të njëjtën kohë hasin një presion të vazhdueshëm nga prindërit e tyre për rezultate më të mira. Telaku bëri thirrje për zbatim të të gjitha udhëzimeve të nevojshme nga programi PISA për përmirësimin e sistemit të arsimit, duke integruar këtu edhe ndihmën e sektorit privat. Telaku, mes tjerash, foli edhe për nevojën e një qasje që kombinon inteligjencën emocionale me zhvillimin e aftësive kognitive.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme