Instrumentistët e Tiranës rikrijojnë klasiken në Prishtinë

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 13:15 | Nga Ekonomia Online

Thuhet se pas gjithçkaje të madhe fshihet një nostalgji pas klasikes. Dhe ky mund të jetë pikërisht rasti me veprat e kompozitorëve që tashmë janë panteoni i muzikës klasike.

Që të gjithë ishin thuajse bashkëkohës: Carl Stamitz (1745), Wolfgang Amadeus Mozart (1756) dhe François Devienne (1759). Vepra të tilla të muzikës së dhomës kërkojnë një goxha përpjekje të virtuozitetit si nga ana e oboes, po aq edhe nga telat që bashkëshoqërojnë oboistin, shkruan sot Koha Ditore.

Nga një vështrim më i gjerë, interpretime të tilla u shëmbëllejnë koncerteve, por me dallimin se këtu luajnë vetëm katër instrumentistë. Me interpretim të tillë mjeshtëror, “Opera Kuartet” të mërkurën mbrëma, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë shënoi natën e gjashtë të festivalit “ReMusica”.

Për rreth një orë instrumentistët Fatos Bardulla (violinë), Alesia Sadiku (violë), Loreta Memaj (violonçel), Erik Tauzi (obo), Erenik Behlula (klarinetë) dhe Orges Malaj (fagot) vunë në skenë shkëputje klasike, përfshirë edhe një trio me motive bashkëkohore të kompozitorit nga Kosova, Kushtrim Gashi. Për Malajn, pritshmëritë e grupit dolën pozitive.

“Koncerti shkoi mirë, pritshmëritë dolën të mira, emocionet e bënë të veten, por megjithatë i kontrolluan mjaft mirë dhe jemi të kënaqur me këtë që shfaqëm”, ka thënë ai për gazetën. 

Të ngjashme