Me ftesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Bullgarisë, Kryeshefja Ekzekutive e IPK-së Miradije Kelmendi me bashkëpunëtore po marrin pjesë në Konferencën e katërt të njësive të kontrollit të brendshëm/mbikëqyrjes policore që po mbahet në Stara Zagora të Bullgarisë.
Në këtë konferencë e cila është organizuar nga NERCISU – Network for Enhanced Regional Cooperation of Internal Security Units (Rrjeti për bashkëpunim të zgjeruar rajonal të njësive të sigurisë së brendshme) janë duke marrë pjesë edhe përfaqësuesit homologë nga vendet e rajonit dhe më gjerë si Turqia, Greqia, Rumania, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Serbia etj.
Konferenca shërben edhe si platformë e shkëmbimit të përvojave të njësiteve në fushën e kontrollit të brendshëm në njërën anë si dhe praktikave të luftimit të korrupsionit në shërbimet policore në anën tjetër.
Atje edhe delegacioni i IPK-së ka prezantuar përvojat e saj dhe praktikat në fushën e mbikëqyrjes policore dhe luftimit të korrupsionit në polici.