Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka arrestuar sot në orët e mëngjesit tetë zyrtarë policorë (punonjës në Stacionin Policor Jugu – Drejtoria Rajonale e Prishtinës) .
Sipas një njoftimi nga IPK-ja, hetimi lidhur me këtë rast kishte filluar kohë më parë pas pranimit të një ankesë dhe informacioneve përmes rrugëve operative me dyshimin fillestar se një zyrtar policor ishte i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.
“Hetimi është zgjeruar duke përfshirë si të dyshuar edhe disa zyrtarë tjerë policorë dhe ka përfshirë edhe masat e fshehta të hetimit në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës me urdhëresë të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake dhe me përkrahjen edhe nga Policia e Kosovës.
Si rezultat i hetimit sot në orët e hershme të mëngjesit në Prishtinë është realizuar operacioni i koduar me emrin “Jugu” me ç’rast janë arrestuar tetë zyrtarë policorë me dyshimin për veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “cenimi i së drejtës për ushtrimin e mjetit juridik”, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrim ndikimi”dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë hetuesit e IPK-së kanë realizuar kontroll në tri lokacione në Prishtinë ku në cilësi të provave janë konfiskuar gjësende të ndryshme.
Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe Kodit të Procedurës Penale.