Irani e ekzekuton biznesmenin e korruptuar të asfaltit

Prishtinë | 22 Dhj 2018 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Njëri nga biznesmenët kryesorë të Iranit, i njohur si “Sulltani i Asfaltit”, është ekzekutuar për shkak të dhënies së mitës dhe korrupsionit. Hamidreza Baqeri Darmani u shpall fajtor për mashtrim me dokumente, me qëllim të përfitimit të huasë shtetërore.

Më pas, ai i përdori disa kompani për t’i fituar më shumë se 300 mijë tonë të ziftit, substancë e cila përdoret për prodhimin e asfaltit. Industria e asfaltit është njëra nga industritë më fitimprurëse në Iran. Darmani është biznesmeni i tretë me radhë që po ekzekutohet si pjesë e një hetimi kundër korrupsionit që nisi gjatë këtij viti.

Sipas agjencive të lajmeve, Darmani ka përfituar lëndë të parë në vlerë prej 100 milionë dollarëve përmes mashtrimit dhe dhënies së mitës. Ai ishte arrestuar në gusht të vitit 2014. Lajmi për ekzekutimin e tij u publikua në televizionin shtetëror iranian, i shoqëruar me tinguj dramatik në prapavijë.

Udhëheqësit shtetërorë po përpiqen që ta luftojnë sa më seriozisht korrupsionin pasi në popullatë ka zemërim për rritjen e kostos së jetesës dhe ekziston përshtypja se korrupsioni është në nivel të lartë. Ekonomia e paqëndrueshme e Iranit po përballet me vështirësi për shkak të sanksioneve amerikane, shkruan “BBC”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme