Irani njofton se po e shkel sërish marrëveshjen bërthamore

Prishtinë | 07 Kor 2019 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

Irani ka njoftuar se po rrit pasurimin e uraniumit përtej kufirit të vendosur në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Ky njoftim vjen një vit pasi presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe vendosi sanksione ndaj Iranit.

Zëdhënësi i Qeverisë iraniane, Ali Rabiei u tha gazetarëve në Teheran se “sot ne do të tejkalojmë” nivelin e lejuar të pasurimit me uranium prej 3,67 për qind.

Ai tha se përqindja e re e pasurimit me uranium “do të bazohet në nevojat tona”, por nuk dha më shumë detaje.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi u tha gazetarëve se Irani të heqë dorë nga obligimet e tij nga marrëveshja çdo 60 ditë, nëse nënshkruesit e marrëveshjes – Britania, Kina, Gjermania, Franca dhe Rusia – nuk bëjnë asgjë për ta mbrojtur Teheranin nga sanksionet amerikane.

Araqchi tha se Irani ende dëshiron që ta shpëtojë marrëveshjen, por fajësoi shtetet evropiane se kanë dështuar që t’u përmbahen obligimeve të tyre.

Njoftimi i Qeverisë iraniane vjen vetëm një ditë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron bisedoi në telefon me homologun e tij iranian, Hassan Rohani dhe tha se ai do të mundohet të gjejë një rrugë për të rikthyer dialogun ndërmjet Iranit dhe partnerëve perëndimorë.

Në deklaratën e Presidencës franceze thuhej se Macron theksoi “shqetësimin e tij të thellë përballë rrezikut për një dobësim të ri të marrëveshjeve bërthamore të vitit 2015 dhe pasojave që domosdoshmërish do të ndodhin nga një gjë e tillë”.

Por, në deklaratë nuk thuhej në mënyrë specifike se për çfarë pasoja bëhet fjalë, por Shtetet e Bashkuara tashmë kanë vendosur sanksione të forta ekonomike ndaj Teheranit, që kanë shkatërruar ekonominë e vendit.

Macron gjithashtu tha se ai dhe Rohani janë pajtuar që prej tani deri më 15 korrik të shikojnë për mundësitë për të krijuar kushte “që të rifillojë dialogu ndërmjet të gjitha palëve” që do të mundësonin në uljen e tensioneve.

Franca, Britania dhe Gjermania nuk kanë pasur sukses që ta bindin SHBA-në që të vazhdojë të qëndrojë në marrëveshjen bërthamore, që i mundësonte Teheranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

Trump u tërhoq nga kjo marrëveshje në maj të vitit 2018, duke thënë se kushtet në këtë marrëveshje nuk ishin aq strikte që ta parandalojnë Iranin që të zhvillojë armë bërthamore.

Në kundërpërgjigje, muajin e kaluar Rohani njoftoi se shteti i tij do të tejkalojë kufirin e lejuar në marrëveshje për rezervat e uraniumit të pasuruar, duke thënë se do të kalohet kufiri prej 300 kilogramë deri më 27 qershor, një gjë që është konfirmuar edhe nga agjencitë ndërkombëtare.

Të ngjashme