Ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, e ka dënuar vendimin e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara për ripëtritjen e pjesërishme të ndalesës së përkohshme të presidentit amerikan, Donald Trump, për udhëtarët nga gjashtë vende me popullatë shumicë myslimane.
“Është për keqardhje, pasi shtetasit e vendeve në këtë listë kurrë nuk kanë marrë pjesë në çfarëdo akti terrorist kundër Shteteve të Bashkuara dhe tash ata ndëshkohen për aktet e terrorizmit nga shtetasit e vendeve të tjera, që nuk janë në listë”, tha sot në Berlin ministri Zarif.
Ndalesa e udhëtimit “nuk ndihmon, nuk e shton sigurinë e askujt”, tha Zarif, shkruan REL.
Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Iranin për mbështetje të terrorizmit.
Teherani i mbështet grupet siç janë Hamasi në Rripin e Gazës dhe milicinë shiite Hezbollah në Liban, që nga Departamenti amerikan i shtet konsiderohen organizata terroriste.
Gjykata Supreme amerikane dje e rrëzoi një vendim të gjykatës më të ulët, për bllokimin e pezullimit 120 ditësh të programit amerikan për refugjatë dhe të ndalesës së udhëtimit në Shtetet e Bashkuara për 90 ditë, të vizitorëve nga Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.
Këtë zhvillim presidenti Trump e shpalli “fitore të qartë për sigurinë tonë kombëtare”.
Departamenti amerikan i shtetit ka njoftuar se ndalesën e udhëtimit do ta zbatoj prej mëngjesit të 29 qershorit.