“Isa Boletini” mbajti konferencën “Familja dhe edukimi”

Prishtinë | 26 Maj 2017 | 12:37 | Nga

Organizuar nga Fakulteti i Edukimit në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, u mbajt të premten konferenca “Familja dhe edukimi”. Në këtë konferencë përveç drejtuesve të Universitetit “Isa Boletini”, drejtuesve të fakulteteve dhe studentëve të Fakultetit të Edukimit, ishin të pranishëm edhe pedagogë nga universitetet e Shqipërisë.

Prorektori për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore, Izet Zeqiri, tha se organizimi i ngjarjeve shkencore më karakter social siç është edhe ky sot, është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet shoqërisë dhe vendit në përgjithësi.

“Duke pasur parasysh se ka vetëm katër vjet prej themelimit të Universitetit “Isa Boletini”, askush nuk ka pritur që ky institucion do të shënoj progres të theksuar kaq shpejt, duke u zgjeruar me kapacitete humane, infrastrukturore, fusha të reja studimi, rritje të numrit të studentëve etj”.

Në këtë kontekst ai përmendi edhe organizimin e kësaj konference shkencore, që është një dëshmi e punës cilësore dhe e përkushtimit të menaxhmentit, mësimdhënësve dhe vetë studentëve.

“Ndryshimet globale që po ndodhin sot, nuk kanë kursyer pa prekur çdo pore të jetës shoqërore dhe në veçanti familjen, andaj, prurjet e reja dhe hapja e debateve shkencore në këto tema, janë të mirëseardhura dhe do të kenë përkrahjen e vazhdueshme të institucionit tonë”, tha ai.

Të pranishmit i ka përshëndetur edhe Drita Kadriu, drejtoreshë e departamentit të arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), e cila është shprehur shumë e kënaqur për organizimin e kësaj konference nga Fakulteti i Edukimit në Mitrovicë. Gjithashtu ajo ka vlerësuar praninë e pedagogëve nga Shqipëria, të cilët me kumtesat e tyre e kanë pasuruar këtë ngjarje shkencore .

Me kumtesa janë paraqitur prof. ass. Besim Gollopeni, nga Fakulteti i Edukimit në Mitrovicë, prof. dr. Lekë Sokoli, president i Institutit Shqiptar të Sociologjisë, zv.rektor i kërkimit shkencor i Universitetit “A. Moisiu” në Durrës, prof. ass. Merita Shala, nga Fakulteti i Edukimit në Mitrovicë, prof. ass. Valentina Haxhiymeri (Xhafa), dekane e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan dhe MA. Laberi Luzha, drejtoreshë e Institutit Pedagogjik të Kosovës.

Të ngjashme