Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook pretendimet se partia e tij e don themelimin e Gjykatës Speciale i ka quajtur të pavërteta. Ai thotë se qëndrimi i LDK-së për tentimet e fundit për shfuqizimin e Ligjit mbi Dhomat e Veçanta të Gjykatës Speciale dhe Prokurorinë e veçantë, nuk ka të bëjnë me dëshirën që njerëzit e Kosovës të gjykohen jashtë vendit, por “me përgjegjësitë të cilat shteti ynë i ka marrë me ndryshimet kushtetuese dhe me Ligj”. Ai ka akuzuar BE-në që nuk i ka trajtuar me kohë krimet për të cilat pretendohet se janë bërë para dhe pas luftës.
“Janë detyrime ndërkombëtare, të cilat nuk mund të zhbëhen me nënshkrime të deputetëve në një mbrëmje. Veçmas kur gjykata është funksionalizuar, kur vendet e BE-së dhe SHBA kanë ndarë buxhetet dhe kanë filluar implementimin. Si pasojë prapë do të kishim një ndërhyrje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rifuqizim të Rezolutës 1244 dhe të rolit të Rusisë në vendin tonë. Do të kishim izolimin e Kosovës”, shkruan sot, Mustafa.
Mustafa thotë se gjykata nuk ishte themeluar me vullnet dhe dëshirë të institucioneve të Kosovës por me insistimin e qartë të faktorit ndërkombëtar, të SHBA-së dhe BE-së, se nëse Kosova nuk e themelon këtë gjykatë me ndryshime kushtetuese dhe pastaj me lig, atëherë atë do ta themelojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbi bazën e Rezolutës 1244.
“Nga përfaqësuesit e SHBA na është thënë qartë, se nëse Kosova nuk e merr përgjegjësinë për themelimin e kësaj Gjykate dhe zbardhjen e të gjitha dyshimeve për krime, atëherë SHBA nuk kanë asnjë arsye të pengojnë themelimin e saj nga Këshilli i Sigurimit. Me kalimin e kësaj gjykate me vendim të KS të OKB-së do të fuqizohej roli i Rusisë dhe Kinës, kurse mandati i saj do të ishte i pa limituar dhe në vullnetin vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, thotë Mustafa.
Ai ka akuzuar BE-në që nuk i ka trajtuar me kohë krimet për të cilat pretendohet se janë bërë para dhe pas luftës.
“Këto krime është dashur ti trajtojnë me kohë organet e drejtësisë që veprojnë në Kosovë, që kanë qenë në përgjegjësi të UNMIK-ut, të EULEX-t dhe tani në përgjegjësi vendore, por për fat të keq nuk i kanë trajtuar”, thotë ai.
“Edhe prolongimi i pakuptimt i veprimit të Gjykatës Speciale, pas aprovimit të ligjit, ka krijuar hapësirë për frustrime, për manipulime me emra dhe personalitete të niveleve të ndryshme nga individ të papërgjegjshëm. Në këtë rast përgjegjësia bie mbi instuticionet shumë byrokratike të BE-së”, vazhdon tutje Mustafa.
Në përfundim të postimit Mustafa thotë se institucionet e Kosovës duhet të marrin guximin, jo të propozojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale përmes shfuqizimit të Ligjit, por të marrin përgjegjësinë për trajtimin e krimeve, vrasjeve e torturave që kanë ndodhur në vendin tonë.
“Kryerësit e krimeve janë individë; nuk janë shqiptarët, UÇK-ja dhe Kosova”, ka përfunduar ai.