Lëvizja FOL dhe KCSF kanë organizuar Forumin “FOL Hapur” me temën “Çka pret Shoqëria Civile nga ish-anëtarët e saj të inkuadruar në politikë”. Të ftuar në këtë panel diskutimi ishin Besa Luzha nga AAK-ja, Driton Selmanaj nga LDK-ja, Hajrulla Çeku, VV dhe Valdete Idrizi, PDK, raporton EkonomiaOnline.
Aty u tha se ka vite që besimi në institucione ka rënë dhe se duhet shuam punë për të kthyer shpresën te qytetarët e vendit.
Besa Luzha nga AAK-ja, tha se qytetarët janë zhgënjyer në politikanët aktualë dhe kjo ka bërë që ajo por edhe kolegë të saj t’ia mësyjnë politikës.
“Natyrisht unë kam qenë në dy fusha, njëra profesionale në kulturë dhe jemi angazhuar që shoqëria civile me u fuqizua. Jemi munduar që ne mos të kërkojmë në një formë si lëmoshë por të jemi më kompakt. Në pjesën tjetër kam qenë pjesë e formave tjera siç ishin presionet ndaj institucioneve qe mendoj se kemi arrit ti shtyjmë përpara. Unë mendoj se kanë pas arsye qytetarët që janë zhgënjyer në institucione sepse shumica kanë vepruar në mënyrë klienteliste. Unë mendoj që duhet të jetë një fond që është në mes shoqërisë civile dhe institucioneve. Kam marr vendin që si deputete do ta bëjë zyrën dhe agjendën ku do takohem më qytetarë”, tha ajo.
Driton Selmanaj nga LDK-ja, tha se besimi ka rënë në shumë institucione, duke përfshirë edhe ato që për një kohë të gjatë kishin besimin e qytetarëve, siç janë Policia e Kosovës, FSK-ja etj.
Megjithatë, tha se vendimi për të hyrë në politik, ishte ndër më të rëndit në jetën e tij.
“Në fakt ka një problem shoqëror sepse nuk ka më asnjë besim në asnjë institucion. Ka rënë besimi në institucione tjera si polici, FSK e shumë të tjera. E gjitha këto po bëhen për shumë arsye. E para është se projekti si shtet ka dështuar dhe nuk kemi qenë të pjekur me marr shtetin me ndërtua. E dyta ata që e kanë marrë pushtetin kanë abuzua me të. Unë si pjesëtar i shoqërisë civile nuk kamë besuar në institucione dhe e gjithë kjo kishte një shkak. Hyrja në politikë është një prej vendimeve më të vështira në jetë dhe gjithashtu dhe e them se ata që hyjnë në politikë nuk e dinë se sa vështirë është”, ka thënë Selmanaj.
Hajrullah Çeku nga VV-ja, tha se rënia e besimit në institucione ndërlidhet në 20 vjetët e fundit.
“Pa e kthyer besimin nuk mundemi me kthye qeverisjen e mirë e për mua rënia e besimit lidhet në 20 vitet e fundit. Dhe angazhimi im ka qenë besimi që ta kthejmë këtë cikël. E këtu në çështjen e besimit është mirë me pa edhe formën e financimit. Kur partitë financohen nga korporatat atëherë partitë kthehen duke iu kthyer atyre korporatave. Kalimi im në VV nuk ka qenë tipik aderim në parti politike, pasi që unë isha pjesë e një shoqërie civile dhe kjo nuk dallon shumë me VV”, tha ai
Valdete Idrizi nga PDK-ja tha se rikthimi i besimit në institucione bëhet duke dhënë shembuj të mirë në praktikë.
“Unë në PDK ndihem mirë përkundër shumë sfidave sepse edhe aty mundem me i shty shumë projekte të mira. Unë mendoj se mënyra më e mirë e kthimit të besimit në institucione, është dhënia e shembujve të mirë. Se ka shembuj të mirë edhe në institucione shtetërore po edhe ato lokale. Mendoj se sa i përket vullnetarizmit duhet që shteti të përkrah e të zhvillohet sa më shumë. Vullneti ekziston por duhet edhe të përkrahet dhe për ketë unë mendoj se shteti duhet këtu të jap përparësi. Po flas për lehtësira e jo për mjete financiare”, ka thënë Idrizi.