Ish-avokati i Popullit: Mësimdhënësit s’mund të ndëshkohen me paga pa u shpallë e paligjshme greva

Prishtinë | 05 Tet 2022 | 18:04 | Nga Ekonomia Online

Ish Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka folur rreth asaj se a ka të drejtë qeveria t’ua ndalë pagat mësimdhënësve.

Ai tha se ligji për grevat e përjashton mundësinë e masave kufizuese, edhe në aspektin material.

“Ligji për grevat e jep një sqarim të saktë dhe të qartë, i cili në një dispozitë e saktëson që nuk mund të ketë masa kufizuese-represive, përfshirë masat disiplinore, pastaj masat tjera materiale që nënkupton të mirat materiale në formën e pagës dhe kategoria e tretë është suspendimi apo largimi nga marrëdhënia e punës. Të tri këto institucione juridike, ligji për gevat i ka futur në mbrojtje dhe mund të themi që është në pajtim me standardet ndërkombëtare”, tha në T7.

Ai foli edhe për nenin, në të cilin është bazuar ministri Murati për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.

“Bëhet fjalë për detyrime, sepse është normale përderisa punonjësit janë në grevë nuk mund t’i ushtrojnë detyrimet që i kanë në bazë të kontratës. Por nuk mund të flitet për pagesa, sepse ligji për vetëqeverisje lokale, në mënyrë eksplicite, thotë se është kompetencë ekskluzive e komunave”, tha ai.

Jashari tha se ky procës ka mundur të shkojë në gjykatë, lidhur me ligjshmërinë e grevës.

“Secili punëdhënës në këtë rast ka mundur të sfidojë para institucioneve gjyqësore ligjshmërinë e grevës, sepse në rastet kur kemi greva të paligjshme sigurisht pasojnë dënimet, gjobat. Mirëpo nëse nuk është kontestuar asnjëherë ligjshmëria e konventës, nuk mundesh pastaj, mbi bazën e këtij parimi për të lejuar, sepse heshtja për një kohë kaq të gjatë dhe moskontestimi i ligjshmërisë së grevës nënkupton që ti je pajtuar në heshtje me ligjshëmrinë e grevës, duke e konsideruar të ligjshme nëse ti se ke kontestu. Në momentin që ti nuk e kontestu dhe nuk e ke shpallë të paligjshme nuk mund të vësh sanksione të tilla, pavarësisht paralajmërimit se nuk do të paguhen”, tha ai.

Të ngjashme