Ish-avokati i Trumpit pranon të dëshmojë publikisht

Prishtinë | 11 Jan 2019 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Ish-avokati i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u pajtua që të dëshmojë publikisht në një seancë para një komiteti të Kongresit, e cila pritet të përqendrohet në marrëveshjet e kaluara financiare të Trumpit dhe në lidhjet e tij me Rusinë.

Michael Cohen do të paraqitet më 7 shkurt para Komitetit për Mbikëqyrje dhe Reformë, bëri të ditur ky i fundit.

Seanca dëgjimore vjen rreth një muaj pasi demokratët morën zyrtarisht kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Cohen ka shërbyer si avokat personal i Trumpit për shumë vite, ndërsa ka ndaluar të punojë për të në maj të vitit 2018, një muaj pasi agjentët e FBI-së kanë bastisur zyrën dhe shtëpinë e tij, duke i konfiskuar mijëra faqe dokumente.

Ky hetim, që po kryhet nga hetuesit federalë në Menhetën, është përqendruar në pagesën që dyshohet se Cohen u ka bërë dy grave, që thonë se kanë pasur marrëdhënie seksuale me Trumpin.

Hetuesit federalë kanë thënë se Trump i ka udhëzuar ato pagesa, të cilat mund të shkelin ligjet federale të financimit të fushatës.

Cohen është po ashtu figurë kyçe në hetimet që po bën këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, për koordinime të mundshme midis Rusisë dhe bashkëpunëtorëve të Trumpit.

Cohen ka pranuar se e ka gënjyer Kongresin kur ka thënë se negociatat për Kullën Trump në Moskë kanë përfunduar në janar të vitit 2016.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme