Ish-diplomati amerikan: Rusia po shfrytëzon përçarjet në Ballkanin Perëndimor

Prishtinë | 25 Gus 2026 | 09:46 | Nga Ekonomia Online

Integrimi i papërfunduar i Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane dhe euroatlantike po krijon hapësirë që Rusia të shfrytëzojë përçarjet ekzistuese politike dhe shoqërore në rajon. Kështu ka deklaruar Matthew Palmer, ish-përfaqësues special i Sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për agjencinë FENA.

Palmer, i cili e njeh nga afër rajonin, ka paralajmëruar se Ballkani Perëndimor është veçanërisht i cenueshëm ndaj ndikimeve të jashtme për shkak të ndarjeve të brendshme.

“100 për qind. Kemi parë interesin e Rusisë për të identifikuar çarjet, ndarjet, boshllëqet dhe pikat e dobëta në strukturat evropiane dhe më pas të fusë pikërisht aty kunja, duke u përpjekur t’i zgjerojë ato”, ka thënë Palmer.

Sipas tij, Rusia po vepron si në nivelin politik, ashtu edhe në atë shoqëror, ndërsa është shumë aktive edhe në hapësirën online.

“Ballkani është veçanërisht i cenueshëm sepse është i ndarë në shumë mënyra, i ndarë kundër vetvetes. Rusët kanë qenë të aftë dhe agresivë në shfrytëzimin e këtyre dallimeve”, ka deklaruar ai.

Palmer: Integrimi në BE dhe NATO është më i rëndësishëm se kurrë
Palmer ka vlerësuar se ndryshimet në mjedisin e sigurisë evropiane e bëjnë edhe më të domosdoshëm integrimin e Ballkanit Perëndimor në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

“Ndryshimet në hapësirën evropiane të sigurisë vetëm sa e theksojnë rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se forcimi i kapaciteteve evropiane të sigurisë nuk duhet të nënkuptojë dobësim të partneritetit transatlantik, por një Evropë më të aftë për të marrë përgjegjësi për sigurinë e saj.

Sipas Palmerit, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një nxitje të shtuar për t’i forcuar lidhjet me BE-në dhe NATO-n.

Paralajmërimi për Bosnjë-Hercegovinën
Duke folur për Bosnjë-Hercegovinën, Palmer ka thënë se një nga problemet kryesore mbeten ndarjet e brendshme dhe mungesa e një ndjenje të përbashkët të përkatësisë shtetërore.

Ai ka bërë thirrje për forcimin e shtetit, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e institucioneve demokratike.

Sipas tij, është e rëndësishme që të rinjtë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, ta shohin të ardhmen në vendin e tyre.

“Duhet të zhvillohet një ekonomi që do t’i inkurajojë të rinjtë e Bosnjë-Hercegovinës, pavarësisht identitetit të tyre etnik, të qëndrojnë në Bosnjë-Hercegovinë, të ndërtojnë jetën e tyre dhe të krijojnë familje këtu”, ka thënë Palmer.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se kërcënimet ndaj Evropës në vitet e ardhshme nuk do të vijnë domosdoshmërisht nga konfliktet mes shteteve, por mund të burojnë nga problemet e brendshme.

Në këtë drejtim, ai ka veçuar luftën kundër korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit, demokracinë dhe ekonominë e qëndrueshme si faktorë kryesorë të sigurisë.

“Një kontinent i ndarë kundër vetvetes është një kontinent i cenueshëm ndaj kërcënimeve të jashtme”, ka përfunduar Palmer.

Palmer do të marrë pjesë në fillim të shtatorit në Sarajevo Security Conference, e cila do të mbahet nga 4 deri më 6 shtator dhe do të mbledhë zyrtarë ndërkombëtarë, diplomatë, përfaqësues ushtarakë dhe ekspertë për të diskutuar sfidat e sigurisë në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor.

Të ngjashme