Ish-gjyqtari i Kushtetueses: Qeveria duhet ta zbatojë vendimin për tokën e Manastirit të Deçanit

Prishtinë | 06 Mar 2024 | 18:39 | Nga Ekonomia Online

Ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu, ka theksuar se Qeveria duhet të sigurojë zbatimin e vendimit për tokën e Manastirit të Deçanit.

Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë zbatimin e vendimit për tokën e Manastirit të Deçanit, kështu ka thënë ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu, ndërkohë që Komuna e Deçanit ka kundërshtuar zbatimin e tij përgjatë viteve.

Kryeziu në intervistë për emisionin FIVE, ka theksuar se ky vendim është i Gjykatës Supreme dhe është i detyrueshëm për zbatim, pasi sipas tij, thuhet se moszbatimi i tij shkel të drejtat dhe liritë e minoritetit serbë.

“Ky vendim është i Gjykatës Supreme, të cilën ka pasur formën e prerë, dhe përfaqësuesi i kishës ka bërë një kërkesë me shiku për t’u zbatuar ky vendim edhe ka konsideruar se moszbatimi i saj shkelen të drejtat dhe liritë e minoritet serbë. Çdo vendim duhet të zbatohet, dhe është e detyrueshme që Qeveria e Kosovës në këtë rast Komuna e Deçanit ka për detyrë ligjore që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar ai.

Ai gjithashtu ka thënë se vendimi ka karakter nacional e ndërkombëtar dhe duhet të zbatohet në përputhje me ligjin.

“Megjithatë kjo ka karakter nacional pro ka karakter edhe ngjyra ndërkombëtare, sepse konsiderojmë në një formë shkelen të drejtat e minoritetit serbë përkundër asaj që plot kanë të drejta ose shumë të drejtat me pakon e Ahtisarit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ky është një proces që ka marrë formën e prerë dhe patjetër duhet të zbatohet”, ka thënë tutje Kryeziu.

Kryeziu ka deklaruar se ka kontaktuar kryetarin e Komunës së Deçanit dhe ka sugjeruar fillimin e një dialogu për gjetjen e një mënyre për zbatimin e vendimit.

Gjithashtu, ish-gjyqtari Kryeziu ka propozuar mundësinë e zbatimit të vendimit pjesërisht nëse nuk mund të zbatohet në tërësi, duke sjellë si shembull mundësinë e transferimit të një pjesë të tokës, për shembull, 10 hektarë në vend të 24.

“Unë kam kontaktuar me kryetarin e Komunës, dhe i kam thënë se për zbatimin e këtij vendimi duhet të fillohet një dialog edhe duhet gjetur një mënyrë nëse nuk mund të zbatohet në tërësi mund të zbatohet pjesërisht. Aty është shembull 24 hektarë dhe mund të zbatohet me 10 hektarë po supozojë, kështu kam biseduar ”, ka deklaruar ish-gjyqtari Kryeziu.

Të ngjashme