Hudhje të aktakuzës, kanë kërkuar edhe të akuzuarit për veprën penale “uzurpimi i pronës së paluajtshme”, Rrahim Krasniqi e Ylbere Saliu.
Mbrojtësja e Bajram Ismailit, avokatja Merita Bajraktari, e dorëzoi në gjykatë një kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, me pretendimin se aktakuza e prokurorisë është e pabazuar.
Si Bajraktari, ashtu edhe Ismaili, nuk dhanë ndonjë deklaratë tjetër përpos të asaj të dorëzuar me shkrim.
I akuzuari Rrahim Krasniqi, theksoi se ai është akuzuar padrejtësisht nga prokuroria, pasi sipas tij, për pronën të cilin organi i akuzës pretendon se është uzurpuar, ka bërë kërkesë për legalizim.
Sipas tij, ai atë pronë (Verandë), të konstruksionit të çelikut, në të cilën ka dalje vetëm ai dhe e akuzuara tjetër Ylbere Saliu, e ka ndërtuar në bashkëpunim me Memli Kabashin, që në këtë rast është palë e dëmtuar, betimiperdrejtesi.com
Sipas tij, pasi ai ka ndërtuar verandën, mbi kulmin e Kabashit, i njëjti nuk ka pësuar asnjë dëm, dhe nuk është ankuar aspak, ndërsa tek pas dy vjetësh, ka paraqitur ankesë.
Deklarim të njëjtë pati edhe e akuzuara tjetër Ylbere Salihu, por për dallim nga Krasniqi, Salihu, kundërshtimet e saja për aktakuzën i dorëzoi në formë të shkruar.
Sipas saj, ajo ka ndërtuar një verandë, prej druri, mbi kulmin e ndërtesës së Kabashit, por siç tha ajo, këtë e ka bërë në vitin 2002, katër vite para se në atë ndërtesë të banonte Kabashi.
“Nga viti 2002 banoj aty, Memli Kabashi ka ardhë më vonë, më 2006. Ne verandën e kemi ndërtu nga druri. Aty Memli s’ka qenë fare, të reshurat atmosferike nuk mujmë me i ndal tash, unë verandën e kam të mbuluar, shqiptari e ka veç mos me te pa ty mirë”, tha Salihu.
Prokurorja e rastit Merrushe Llugiqi, kundërshtoi propozimet e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kërkoi nga gjykatësi Beqir Kalludra, që të njëjtat t’i refuzoi si të pabazuara, duke pretenduar se aktakuza është e mbështetur në prova të mjaftueshme.
“Të gjitha pretendimet e mbrojtjes nuk qëndrojnë, aktakuza është ngritur konform dispozitave të KPPK-së dhe mbështet në prova dhe dëshmi të pranueshme të cilat gjendën në shkresat e lëndës dhe janë të propozuara që të administrohen nga gjykata, pas administrimit të këtyre provave do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale të cekur në aktakuzë”, tha prokurorja.
Gjykatësi Kalludra theksoi se shqyrtimi gjyqësor eventual lidhur me këtë rast do të caktohet pas vendimit lidhur me kërkesat për hudhjen e aktakuzës.
Sipas aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngritur më 10 tetor të vitit 2016, ish–inspektori i ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Bajram Ismajli, gjatë viteve 2000 – 2009, akuzohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare me qëllim që vetit apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore. Sipas prokurorisë, këtë e kishte bërë duke mos ndërmarrë veprime të cilat kanë qenë në kompetencë të tij.
Kështu, ai akuzohet se nuk i kishte ndaluar punimet dhe nuk kishte marrë vendim për rrënimin e mbindërtimeve, të ndërtuara në hapësirën e përbashkët të uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme nga Rrahim Krasniqi dhe Ylbere Salihu, në lagjen “Qendra” në kompleksin “Avalla”.
Prokuroria pretendon se Rrahim Krasniqi, prej vitit 2008 e deri më 5 shtator 2016, në mënyrë të kundërligjshme kishte uzurpuar pronën e paluajtshme, e cila gjendet në lagjen “Qendra”.
I njëjti, sipas aktakuzës, në kundërshtim me pëlqimin e Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, kishte ndërtuar një verandë nga profilet e çelikut, me ç ‘rast nga ky mbindërtim i është shkaktuar dëme banuesit tjetër në këtë ndërtesë, Memli Kabashit.
Një mbi ndërtim, pa pëlqimin e Drejtorisë së Urbanizmit akuzohet se e ka bërë edhe Ylbere Salihu, në po atë lagje. E njëjta, në periudhën e njëjtë kohore me të akuzuarin Krasniqi, kishte uzurpuar pronën e paluajtshme dhe kishte mbi ndërtuar një hapësirë për banim nga materialet e drurit, me ç‘rast edhe ajo akuzohet se i kishte shkaktuar dëme Memli Kabashit.