Ish-kreu i Gjykatës Supreme të Kosovës, profesori Fejzullah Hasani, ka thënë se i kanë detyruar 10 gjyqtarë serbë që do të shërbejnë në veri të kryejnë provimin e Jurisprudencës.
Sipas Hasanit, këta 10 gjyqtarë e kishin të përfunduar këtë provim në Serbi e nuk kishin pranuar që nënshtrohet provimin edhe një herë.
Por, Hasani thotë se ligji është shumë i qartë që provimi i Jurisprudencës nuk mund të konvertohet, ngase vetëm në fe e para mund të bëhet konvertimi, raporton Ekonomia Online.
Për pranimin e tyre edhe pa e kaluar këtë provim ai tha se ka pasur presion nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri.
“17 i kemi pasur që i janë nënshtruar provimit. Ne kemi pasur 10 që e kanë kryer në Serbi. Ne nuk i kemi pranuar pasi nuk janë përputhshmëri me ligjin unë kam pasur presion nga Edita Tahiri e cila me ka thënë që konvertoni, por unë nuk e kom pranuar. Nuk pranohet provimi i Jurisprudencës i një shteti tjetër, ata i janë nënshtruar provimit”, ka thënë ai.
42 gjykatës serbë dhe 14 prokurorë serbë nesër pritet ta japin betimin e të dekretohen për të shërbyer në Gjyqësorin e Kosovës.
Presidenca njoftoi më 17 tetor se asnjëri nga gjykatësit dhe prokuroritë serbë nuk kishin shkuar të bënin betimin para Presidentit dhe përfaqësuesve të Drejtësisë të vendit ashtu siç ishte njoftuar e planifikuar.
Zëdhënësja e Komisionit Europian Maja Kocijançiç më vonë kishte deklaruar se betimi në javën e shkuar nuk ishte bërë për shkak të kërkesës serbe.
Sipas raportimeve të mediave në Mitrovicën e veriut, gjykatësit serbë do ta bëjnë “betimin neutral”, ku nuk do të ketë tekst të njëjtë me betimin që e bëjnë gjykatësit shqiptarë të Kosovës.
Sipas këtyre medieve, në asnjë marrëveshje nuk do të vendoset stema e Kosovës dhe emërtimi Republikë.
Hasani: Lumezi nuk mund ta udhëheq komision për provimin e Jurisprudencës
Hasani, tha se komisioni i ri që do të merret me organizimin e provimit të Jurisprudencës nuk mund të udhëhiqet nga kryeprokurori Aleksandër Lumezi.
Në krye të këtij komisioni me vendim të Qeverisë do të jetë kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, raporton Ekonomia Online.
Hasani që ka udhëhequr këtë komision, tha se është paradoksale që këtë komision ta udhëheq Lumezi. Ai jep arsyetim pse i pari i Prokurorisë në vend nuk mund të jetë i pari i komisionit.
“… në Kosovën e paradokseve prej kur që ekziston provimi i jurisprudencës kryetar i komisionit ka qenë kryetar i Gjykatës Supreme. Nuk ka mundësi të jetë pyetës akademik në çështje penale dhe civile, pyetni vetëm parakticientët. Është e pamundur që profesor i të drejtës penale të di sepse nuk di me shkru vet një vendim. Unë kur e kom kryer atëherë ka qenë pak më ndryshe. Është e pamundur që të vlerësoj provimin profesor i të drejtës penale sepse kurrë nuk ka pasur provojë praktike”, tha Hasani.