Ish-mbrojtësi i Portugalisë, Fernando Meira, e ka kritikuar bashkatdhetarin e vet, Cristiano Ronaldo, duke thënë se ai bëri veprim të papranueshëm kur e hodhi në tokë shiritin e kapitenit në barazimin e Portugalisë 2:2 me Serbinë.
Sulmuesit të Juventusit iu mohua një gol i pastër, i cili do t’ia kishte Portugalisë fituar ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2022 kundër Serbisë të shtunën në Beograd.
Goli e kishte kaluar vijën e portës, por gjyqtarët dhanë shenjë për vazhdimin e ndeshjes dhe kjo e bëri Ronaldon ta humbë toruan dhe ta hedhë në tokë shiritin e kapitenit.
Aq i madh ishte mllefi i Ronaldos saqë ai u largua nga fusha ende pa përfunduar ndeshja.
“Ishte gol i pastër, por Ronaldo nuk mund ta hedhë shiritin e kapitenit në tokë në atë mënyrë”, tha Meria.
“Reagimi i Cristianos është i natyrshëm, por veprimi i tij si kapiten i ekipit kombëtar është i papranueshëm”, shtoi ai.
“Nuk mund ta hedhesh shiritin e kapitenit në tokë dhe të largohesh nga fusha kur ndeshja është ende duke u zhvilluar. Është sjellje e papranueshme për një lojtar të kalibrit të tij”, nënvizoi ai.