Ish-presidenti Plevneliev dhe ministri Lluka ftojnë kosovarët të studiojnë në Universitetin Amerikan në Bullgari

Prishtinë | 16 Shk 2018 | 20:48 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Universiteti Amerikan në Bullgari (AUBG) ofron diversitet dhe mundësi të njohësh kultura të ndryshme. Por, çka është më e rëndësishme ofron një edukim që të përgatit për të ardhmen.

Kjo ka qenë porosia e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, një ish-student i këtij universiteti, gjatë mbrëmjes që AUBG ka organizuar sonte në Prishtinë me temën “E ardhmja e lidershipit”, raporton Ekonomia Online.

Në mbrëmjen që kishte për qëllim të inkurajonte kosovarët të studionin në AUBG merrte pjesë dhe Rosen Plevneliev, president i Bullgarisë, gjatë periudhës 2012 – 2017 dhe bisedoni për të ardhmen e rajonit. Bullgaria tani ka presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Valdrin Lluka tha se Bullgaria, e cila aktualisht ka presidencën e Bashkimit Evropian, është mik i mirë i shtetit të Kosovës

“Çfarë mund të them për universitetin e Bullgarisë, pa party, pa shumë qejf, vetëm studime. Në këtë universitet ka njerëz nga vende të ndryshme, prandaj para se të shkosh duhet të jesh i përgatitur. Çka është pozitive në këtë universitet është diversiteti, mundësia të njohësh kultura të ndryshme. Pjesa tjetër është edukimi. Ky edukim më dha hapat e parë që më përgatiten për të ardhmen”, u shpreh Lluka.

“Çka është shumë e rëndësishme është së në këtë universitet je pjesë e gupeve të ndryshme, të mundëson njohjen me njerëz të shteteve të ndryshme, gjë që nuk është e mundur në universitetet e Kosovës”.

“Kjo ka qenë një eksperiencë që unë e kam shijuar shumë, dhe unë nuk do të doja që ju të jeni student dhe të mos e shijoni”.

Plevneliev: Obamën e kam takuar 29 herë, po shkruaj një libër për të

Ish-presidenti bullgar, Rosen Plevneliev, tha se është i lumtur kur është në Ballkan. “E dua Ballkanin dhe vërtet dua të jem këtu. Më pëlqen të ndaj eksperiencat me njerëzit e Ballkanit”, u shpreh ai.

“Unë nuk isha në politikë vetëm për fuqi. Isha edhe për të ndihmuar, prandaj edhe ju duhet të shikoni si të ndihmoni njerëzit”, porositi ai, studentët kosovarë të mbledhur në një hotel në Prishtinë.

“Jam shumë me fat që isha president, sepse ta mundëson që të njohësh njerëzit më të fuqishëm në botë. Një eksperiencë e ngjashme është takimi me Obamën. Në fakt, Obamën e kam takuar 29 herë, prandaj po shkruaj një libër për të”, tregoi Plevneliev.

“Unë isha president i zgjedhur nga njerëzit e Bullgarisë. Më parë kam qenë ministër, menaxher, shef Ekzekutiv; kam pasur eksperienca të ndryshme. Por unë jam shumë i lumtur dhe vazhdoj të jem kur i vizitoj universitetet nëpër të gjitha vendet e Ballkanit”, ka thënë mes tjerash ish-kreu i shtetit të Bullgarisë.

Të ngjashme