Ish-presidentja, Atifete Jahjaga, tha se Kosova ka përforcuar sovranitetin dhe demokracinë. Por që sipas saj, tani duhet që vendi ta forcojë subjektivitetin në raport me fqinjët në mënyrë që të mos mbesin peng qytetarët, raporton Ekonomia Online.
Këto komente ajo i bëri në konferencën “Demokracia më e re e Evropës: Pavarësia, Pluralizmi, Integrimi“, me rastin e 10-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike gjermano-kosovare, e cila u organizua nga ambasada Gjermane dhe organizata të tjera gjermane në Kosovë.
“Duhet ta forcojmë subjektivitetin tonë në raport me fqinjët tanë, të mos mbajmë peng të ardhmen e qytetarëve. Çdo ditë dëshmojmë pasionin e të rinjve tanë që janë të gatshëm të dalin në skenën ndërkombëtare në shkencë, art apo teknologji. Institucionet e shtetit kanë nevojë të jenë më të vullnetshme që të dëgjojnë brenga e të rinjve dhe tu dalin në krah kërkesave të tyre”.
“Kërkoj nga të rinjtë që të mos humbasin shpresën në potencialin e tyre dhe atë që mund të bëjnë për shtetin. Tash më shumë se kurrë është me rëndësi që ndërtime marrëdhënie më të mirë mes shteteve tona. Besoj se përparimi i qëndrueshëm do të vijë pas arsimimit të gjeneratave të ardhshme. Dua të shoh shumë mundësi që studentët kosovarë të studiojnë në Gjermani dhe të kthehen në Kosovë dhe të tregojnë shkathtësitë e tyre”.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në nivel të mira, raporton Ekonomia Online.
Ai shtoi se mbështetja e Gjermanisë në procesin e Berlinit është shumë e rëndësishme sepse sipas tij, Kosova në etapa të ndryshme është lënë anash. Haradinaj vlerësoi se ky proces garanton se Kosova është në rrugë të integrimit evropian.
Kryeministri tha se kompanitë gjermane nuk kanë investuar mjaftueshëm në Kosovë sepse kanë pasur bindjen se është vend ku ka korrupsion dhe sundimi i ligjit nuk funksionon.
Haradinaj ka shtuar se në dekadën e dytë të pavarësisë duhet te rikthehet guximi dhe mundësia e investimeve gjermane në Kosovë.
“Kosova si shtet ka pasur menjëherë miqësinë përkrahjen e Gjermanisë. Marrëdhëniet diplomatike janë zhvilluar në nivelin më të lartë dhe vazhdojnë të jenë në nivel të lartë”.
“Kompanitë gjermane s’kanë ardhur shumë në Kosovë dhe investime që mundemi me u mburr, sepse është bindja që ka korrupsion dhe ligji nuk funksionin. Mendoj se ia vlen në dekadën e dytë ta rifitojmë guximin dhe ti kthehemi mundësisë për investime gjermane në Kosovë. Infrastruktura mundëson jo vetëm operim në tregun në Kosovë por lidhje me tregun regjional dhe evropian. Tregu i lirë e bënë këtë të mundshme. Kosova ka resurse që janë të pashfrytëzueshme”.
“Ne jemi Evropë euroatlantike, por s’dëshirojmë me ardhur te ju në Evropë me jetuar, dëshirojmë me i ndal fëmijët tanë këtu dhe me i sjellë kompanitë tuaja këtu. Kur kërkojmë përkrahje për liberalizim nuk e bëjmë këtë me ardhur të ju por për te tregu se qytetari është partner i juaji”.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, tha se është i lumtur që shënojnë 10-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.