Cristiano Ronaldo sot (5 shkurt) i ka mbushur 36 vjet, ndërsa ish-trajneri i tij i fitnesit ka deklaruar se superylli i Juventusit mund të luajë me intensitet të lartë deri në moshën 40 vjeçare.
Giovanni Mauri ka punuar te Real Madridi gjatë kohës së Carlo Ancelottit, ndërsa ka dhënë një intervistë për Tuttosport në ditëlindjen e portugezit.
“Kur erdhi në Itali, kam thënë se ai është një lojtar jashtë normales. Është përshtatur dhe vazhdon të shënojë”.
“Ai është duke e ndjekur metodën që ia kemi propozuar në Madrid, në të cilën pushimi është pjesë thelbësore e stërvitjeve”.
“Pushimi nuk do të thotë domosdoshmërisht të flesh. Nuk është pasiv, por është i përbërë nga ushtrime specifike që kanë për qëllim arritjen e mirëqenies muskulore, mendore dhe të nyjave”, ka thënë ai.
Padyshim që Mauri nuk ka mundur t’i shmanget pyetjes: “Sa gjatë mund të luajë Ronaldo?”.
“Kam punuar me shumë futbollistë në të katërdhjetat, nga (Paolo) Maldini te (Alessandro) Costacurta. Kur isha te PSG, isha i sigurt se (Zlatan) Ibrahimovic mund të luante deri në moshën 40 vjeçare”.