Ish-ushtari i UÇK-së e UÇPMB-së, lirohet nga paraburgimi

Prishtinë | 22 Tet 2016 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Gjilan ka liruar nga paraburgimi ish-luftëtarin e UÇK-së dhe UÇPMB-së, Lirim Jakupi, por duke e zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak. 

Jakupi ishte i arrestuar në Kosovë që nga janari i vitit 2014, dhe që prej atëherë ishte në paraburgim. Ndërsa kohë më parë Gjykata kishte liruar Jakupin nga tetë pikat e aktakuzës, përfshirë këtu rastin e Shkupit për vrasje dhe posedim armësh, për të cilat nuk janë vërtetuar provat e aktakuzës.

Avokati Ramë Gashi ka konfirmuar se klienti i tij Lirim Jakupi që nga ora 16 e ditës së djeshme është liruar në paraburgim me arrest shtëpiak.

“Po është me vendim të Gjykatës Themelore në Gjilan që masa e paraburgimit të caktohet në arrest shtëpiak për dy muaj dhe më pas pritet të ndodhë rigjykimi për një vepër penale përndryshe ai ka qenë i akuzuar për shumë vepra penale por nga të gjitha të tjerat është i liruar pasi është vërtetuar se është i pafajshëm në ato akuza vetëm për njërën vazhdon të akuzohet por që nga tani e tutje do të jetë në arrest shtëpiak”, ka thënë Gashi, shkruan Indeksonline.

Ndërsa akuza për të cilën vazhdon të akuzohet Jakupi sipas avokatit Gashi, është “vrasje e rëndë në tentativë”.

“Klienti im është në arrest shtëpiak që nga dita e djeshme, sipas vendimit të cilin unë e kam pranuar përmes adresës elektronike nga Gjykata Themelore në Gjilan”, ka përfunduar Gashi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme