Ish-zëvendëskryeministri britanik, John Presccot ka thënë se okupimi i Irakut në vitin 2003 ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe ishte “i jashtëligjshëm”.
Një hetim shtatë vjeçar i publikuar së fundi për këtë çështje ka arritur në përfundim se arsyetimi, planifikimi dhe trajtimi që ia ka bërë luftës së Irakut ish kryeministri britanik, Tony Blair përmbanin një mori dështimesh, por ky raport nuk thotë nëse lufta ishte e jashtëligjshme.
Presccot, që ka qenë zëvendësi i Blairit gjatë kohës kur bëhej okupimi, e ka publikuar një opinion sot në gazetën “Sunday Mirror” duke thënë se ai duhet të jetojë me “vendimin katastrofal” të okupimit të Irakut për tërë jetën e tij, shkruan rel.
Presccot gjithashtu ka thënë se ai tashmë e ka ndryshuar qëndrimin e tij rreth ligjshmërisë së luftës derisa e ka kritikuar Blairin që iu kishte ndaluar ministrave të tij për ta diskutuar paraprakisht nëse lufta do të ishte e ligjshme.
Lufta në Irak ka marrë jetën e 179 ushtarëve britanikë dhe mbi 150 mijë civilëve irakianë në periudhën gjashtëvjeçare pas okupimit.
Presccot ka thënë se e përkrahë vendimin e liderit të laburistëve, Jeremy Corbyn për të kërkuar falje për luftën në emër të partisë.