Islami për plagosjen në Shtërpcë: Këtij rasti i është dhënë konotacion politik

Prishtinë | 09 Jan 2023 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, tha se për rastin e plagosjes së dy qytetarëve serbë në Shtërpcë në të cilin ishte i involvuar një pjesëtar i FSK-së, nuk duhet nxituar me cilësime pa verdikun final nga Gjykata, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se pa një version final nga hetuesia nuk mund t’i mveshen akuza pjesëtarit të FSK-së se a ka qenë tentim-vrasje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm apo në vetëmbrojtje.

“Ajo nuk është vrasje dhe ende nuk e ka kualifikuar hetuesia, prokuroria a gjykata se a ka qenë vetëmbrojtje, a ka qenë tentim vrasje apo vrasje e paramenduar. Meqë as një version zyrtarë nuk e kemi, nuk kemi të drejtën që të paragjykojmë dhe të themi që ishte tentim-vrasje ose shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Disa akuza që po i mveshen pjesëtarit të FSK-së” tha ai.

Në një përgjigje telefonik për Ekonomia Online, Islami tha se Serbia është duke e keqpërdorur këtë rast, dhe se reagimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe të qeverisë së Kosovës kanë qenë të ngutura.

Ai shtoi se është gabim përdormi i armës zyrtare, por sipas tij këtij rastit i është dhënë konotacion politik, kinse rasti është kryer për shkaqe etnie.

“Vepra penale kur kryhet, në rastin konkret është kryer nga një individ nuk ka strukturë të organizuar, e që në rastin konkret Serbia po e keqpërdor rastin. Kur flasin nga qeveria e Serbisë po më kujtohet koha e Millosheviqit kur një serbë ose një individ kishte kryer ndonjë rrahje apo çfarë do vepre ai kualifikohej si sulm ndaj etnitetit tjetër, e njëjta më rikujton rastin e ushtarit të FSK-së me që rast janë të plagosur dy të rijnë”.

“Unë mendoj që edhe bashkësia ndërkombëtare  edhe qeveria e Kosovës është ngutur edhe sikur të gjithë garonin që ta dënojnë. Është në rregull dënimi sepse nuk duhet të plagosim, nuk duhet të përdoret arma zyrtare, por me i dhënë konotacion politikë kinse ushtarë i FSK-së e ka përdorur për shkak të etnitetit ose nacionalitetit serbë, e kundërshtoj dhe është më së e vërtet se nuk kemi të drejtë, dhe nuk ka të drejtë as kush  që ta kualifikojë veprën e tillë” tha ai.

“Serbia do të përpiqet që deri në  Kombet e Bashkuara ta paraqes si rast, mirëpo ky është rast i izoluar, në krejt botën ndodhin raste të tilla, kur një oficer, për shembull në Amerikë, një oficer  i bardhë e vret një të racës së zezë në raste të tilla pa dhënë verdikun filan gjykata nuk kemi të drejtë të cilësojmë rastin”, tha ai.

Të ngjashme