Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili është ftuar për raportim në komisioni parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.
Komisioni në mbledhjen e radhës kishte në shqyrtim raportin e performancës për Efikasitetin dhe Efektivitetin në Implementimin e Sistemit Informativ unik të Integruar Shëndetësor, raporton Ekonomia Online.
Besa Baftiu, kryetare e komisionit tha se sistemi informativ shëndetësor ka rol kyç në implementimin e sigurimeve shëndetësore që sipas saj, kjo është bllokuar pasi që ministria e shëndetësisë nuk ka ndarë buxhetin në bazë të planifikimit.
“Është krijuar një rezolutë e cila e obligon auditorin e përgjithshëm të bëjë auditimin për sistemin informativ prej fillimit e deri më 2018, kjo ka kaluar në Kuvend. Ende ministri i Shëndetësisë nuk ka qenë prezent asnjëherë në mbledhje, ka qenë i obliguar çdo 3 muaj të na njoftojë për këtë sistem si funksionohet, si menaxhohet. Është parakusht për implementimin e sigurimeve shëndetësor, dhe kjo është pengesë që mos të fillojmë me implementimin e sigurimeve shëndetësore”.
“Sipas raportit të auditivit mjetet e ndara nuk janë ndarë siç kanë qenë të planifikuara mjete për avancimin e sistemit informativ shëndetësor, janë dedikuar për çështje të tjera, blerja e një rëntgeni, 417 mijë euro janë realizuar për projekte të tjera, janë kryer pagesa për vendime gjyqësorë, 59 mijë euro për furnizim me ultrazë etj. Ministrin ta thërrasim në raportim të na informojë për planin e veprimit për sistemin informativ shëndetësor”.
Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, nga LVV-ja tha se sistemi shëndetësor është para një kolapsi, i cili po pengon edhe implemtimin e sigurimeve shëndetësore.
“Jemi në një situatë që sistemi informativ shëndetësor ka qenë një nevojë imediate për sigurimin shëndetësor. Nuk jemi në dijeni a do vazhdohet implementimini i SISH-it, apo do të dështojë. Mos funksionimi i ligjit për sigurim shëndetësor dhe mos funksionimi i sistemit informativ të shëndetësisë ka hy para kolapsit krejt sistemin shëndetësorë”.
“Në pamundësi të fillimit të ligjit për sigurim shëndetësor ne kemi operimin e kompanive private, kemi të bëjmë keqpërdorimet e kompanive private, abuzimet më të mëdha po ndodhin në sektorin privat të sigurimeve shëndetësore”, ka thënë Mullhaxha.
Ajo tha se ky sistem informativ nuk ka trasnaprencë dhe bëri thirrje qe ministri të raportoj në komision për shakllën e funksionimit të këtij sistemi.
“Ka dështime të mëdha ky sistem, nuk ka trasnaprencë, pse nuk ka arrit as në pilot projektin që të funksionalizohet. Implementimi i ligjit për sigurim shëndetësor, nuk po fillon së funksionuari, ministri duhet të na lajmërojë a do vazhdohet me SISH-in ( Sistemi informativ shëndetësor), kështu si është, a po të rishikohet etj”, ka shtuar Mullhaxha-Kollcaku.
Haxhi Avdyli nga LDK-ja tha se ministri do duhej të ishte në raportim për të informuar për punën e SISH-it sepse sipas tij, ky sistem ka ngecje dhe nuk është duke shkuar në rrugën drejt avancimit.
“Është një sistem që është duke ngecur, proces që do duhet të jetë strategji për të gjitha ministritë. Ky raport tregon një gjendje reale, një ngecje, unë mendoj që në 6 muajt e fundit kemi ngecje të mëtutjeshme. Sistemi informativ shëndetësor është duke shkuar në drejtim të kundërt, jo në rrugë të avancimit”, ka thënë Avdyli.
Ai tha se shtrirja e këtij sistemi në institucione është zero dhe janë lënë anash edhe trajnimet për ushtruesit e kësaj detyre.
“Shtrirja e SISh-it në institucione është zero, trajnimet janë të lëna pas dore, sigurimi i stafit është lenë pas dore, të gjitha këto flasin se kjo ministri nuk është e interesuar për sistemin informativ shëndetësor”, ka shtuar Avdyli.
Në komision ishte ftuar për raportim Jeton Shala Kryeshefi i Agjencisë për Produkte dhe Paisje Medicinale.
Shala nuk erdhi në komision me arsyetimin se është duke u marrë me cështje e keqpërdorimit të 300 mijë eurove, tha kryetarja e komisonit, Besa Baftiu.
“Pika e tretë nuk u shqyrtua sepse kryeshefi, Jeton Shala ka lajmëruar se nuk mund të jetë i pranishëm. Arsyeja është se ka keqmenaxhim të mjeteve në shumë prej 300 mijë euro, e sipas tij ka takime me zyrtarë të ndryshëm për ta zgjidhur këtë çështje. Ai ka obligim shtetëror dhe ligjor që të raportojë në komision, i cili tha se në njërën nga mbledhjet e kaluara do të marrë pjesë”, ka thënë Baftiu.