Ismaili: Spitali i Pediatrisë do të përfundojë brenda 2 vjetëve

Prishtinë | 15 Gus 2018 | 15:11 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar lokacionin ku po zhvillohen punimet në ndërtimin e Spitalit Pediatrik Kirurgjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i cili do t’i integrojë të gjitha shërbimet shëndetësore që kanë të bëjnë me fëmijët.

Ministri Ismaili ka shpjeguar arsyet e vonesave për ndërtimin e Spitalit Pediatrik, i cili do të ketë një hapësirë të konsiderueshme, në vlerë prej 22 milionë eurosh, raporton Ekonomia Online.

“Do të ndërtohet një Spital Pediatrik, i cili do të jetë modern, i cili do të ketë pajisje moderne, do të ketë diku 100 shtretër, 10 mijë metra katrorë, donacion prej 20 milion euro dhe që është më se i nevojshëm. Kemi mbetur peng për arsye, sepse nuk kemi mundur të zhvillojmë plane tjera e ne anën tjetër nuk ka filluar realizimi i projektit”, tha Ismaili.

“Një punë shumë e madhe është përfunduar dhe tani pritet që puna ta merr hovin e vet, të shihet edhe duke u nisur katet e ardhshme”, theksoi Ismaili.

Ismaili njoftoi se projekti ka 22 muaj punë dhe se është zotuar se do të respektohet afati i cskuar.

“Jemi brenda zotimit që ky projekt do të përfundojë brenda 22 muajve me gjitha aparaturat moderne dhe pajisje do të jetë një projekt i çmueshëm për fëmijët tanë por edhe me kualitet të lart të ndërtimit dhe pajisjeve”, tha Ismaili.

Drejtori i ShSKUK, Basri Sejdiu, ndërkohë, deklaroi se nevoja për trajtimin e fëmijëve është e madhe, prandaj me ndërtimin e spitalit të ri gjërat do të bëhen më të lehta.

“Ka nevojë të madhe për trajtimin e fëmijëve dhe përfundimi i punëve pas 22 muajve, duke llogaritur infrastrukturën përcjellëse në të gjitha hapësirat e QKUK, mendoj se do të jetë një kompletim i infrastrukturës, por edhe me pajisje që do të ketë një trajtim më të lehtë, por edhe funksional”, tha Sejdiu.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Mabetex Group, Valon Lluka, tha se punimet do të përfundojnë brenda afatit të paraparë, në mënyrë që spitali të nisë punën me kohë.

“E informova për progresin e punëve se si po shkon dhe e sigurova që brenda afatit të caktuar me kontratë 22 muajsh ne do të përfundojmë të gjitha punët, në mënyrë që spitali të fillojë punën siç duhet”, tha Lluka.

Ministri Ismaili ka folur edhe për virusin e Nilit, i cili është bërë shqetësues kohëve të fundit. Ai tha se shëndetësia është e përgatitur të përballet me këtë virus edhe pse do të jetë e vështirë, por ai tha se do të bëhet edhe dezinsektimi, në mënyrë që të parandalohen rastet e tilla, raporton Ekonomia Online.

 

Të ngjashme