Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, i cili njëherësh është edhe ministër i Shëndetësisë, e sheh të pashmangshme mbajtjen e zgjedhjeve, por thotë se nuk e di kur do të mbahen ato.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se partitë politike duhet të jenë të gatshme për zgjedhje, kurdo që mbahen ato.
“Zgjedhjet dikur do të vijnë, se për çfarë do vijnë dhe kur nuk mund të komentoj sepse nuk kam përgjigje, mirëpo kurdo që të jenë partitë politike i kanë planet e tyre dhe duhet të jenë të gatshme që të realizojnë dhe të hyjnë në zgjedhje. Kjo është një çështje që e parasheh edhe ligji i Kosovës që ka afate dhe pas tyre gjitha partitë politike që duan të hyjnë në zgjedhje i paraqesin oferta e tyre, prandaj për aq kohë sa të gjithë janë në pozicione të tyre brenga kryesore duhet të jetë jeta e qytetarit”, tha Ismaili.
Ismaili tha se PDK-ja është partia kryesore në vend me trupë elektorale më të gatshme për të marrë përgjegjësi dhe kjo sipas tij i gëzon ata si PDK që të jenë në rrugën e drejtë edhe për të revitalizu PDK-në dhe për të marrë përgjegjësi tjera.
“Ajo që është më rëndësi është se për aq kohë sa jemi të gjithë në pozicionet tona institucionale të arrijmë që të bëjmë më të mirën për qytetarin, pra ka një pritje të madhe të qytetarëve për realizimin e projekteve të shumta, jo vetëm në shëndetësi, por në arsim, rini e gjitha tjera dhe ne duhet të krijojmë këtë energji e cila mbërrin me i kry projektet dhe me qenë ato reale dhe të prekshme për qytetarët, të mos jenë projekte që mbesin në letër por që realizohen dhe mendoj se kjo është me rëndësi”
“…41 mijë vetë është një rikonfirmim i këndshëm që PDK-ja ka dhe është ende parti kryesore në Kosovë me trupë elektorale më të gatshme për të marrë përgjegjësi dhe kjo na gëzon që jemi ën rrugën e drejtë edhe për të revitalizu PDK-në dhe për të marrë përgjegjësi tjera”.
Ai thotë se pjesëmarrja prej 41 mijë vetë në procesin zgjedhor në PDK tregon se njerëzit PDK-në e shohin si shpresë dhe realizim i transformimeve që mund të ndodhin dhe priten të ndodhin në Kosovë.
“Është rritje organike e jona, njerëz që kanë dhënë shumë për PDK-në dhe tani janë në gjendje të japim dhe në pozicione udhëheqëse, kjo na bën me u ndje mirë sepse kemi 41 mijë vetë që kanë marrë pjesë në proces zgjedhor në PDK deri më tani, një trup i madh që tregon se njerëzit ende shohin dhe shpresë në PDK, si realizim i transformimeve që mund të ndodhin dhe priten të ndodhin në Kosovë, e shohin si parti që është katalizatorë dhe është prijëse e atyre ndryshimeve, por edhe si hapësirë për vete që është me rëndësi”, tha Ismaili për Ekonomia Online.
“…Njerëz të ndryshëm e shohin hapësirë PDK-në që është si parti që ka një traditë me iu dhënë hapësirë njerëzve që janë brenda PDK-së dhe ata që vijnë nga jashtë dhe “Dekada e Re” na ka dhënë këto dy porosi e para që njerëzit janë të gatshëm dhe ende besojnë, e dyta që PDK ende shihet si parti e cila jep hapësirë për gjithë njerëzit që duan të realizojnë ambicie dhe dëshirojnë të realizojnë aspirata që Kosova të jetë vend më i mirë dhe që ata të i japin Kosovës përmes kanaleve politike.”