Ismet Temaj ka nisur punën si ushtrues detyre i rektorit të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”.
Që në mëngjes kishin dalë disa studentë për ta përshëndetur marrjen e detyrës, të cilët e pritën me duartrokitje. Në ndërkohë një grup tjetër prej studentëve erdhën për ta uruar për detyrën dhe i sjellën një buqetë me lule. Kurse në mëngjes një tjetër grup i vogël me studentë kishin bllokuar dyert e kampusit me dry dhe zinxhirë dhe kanë vendosur pankarta në shenjë proteste për zhvillimet e fundit në Universitet.
U.d. Rektori Temaj me këtë rast u shpreh falënderues dhe mirënjohës për urimet e studentëve, ndërsa theksoi se ”janë të mirëpritur protestat për çështje të studentëve mirëpo është e papranueshme dhe nuk është mesazh i mirë vendosja e drynit dhe zinxhirëve nga një grup i vogël me studentë”.
Ai tha se “do të punojë për zhvillimin e këtij universiteti në çdo aspekt dhe do të bashkëpunojë me të gjithë në bazë të ligjit”, thuhet në komunikatën për medie të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”.