Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, në një intervistë për Ekonomia Online ka dhënë detaje rreth takimit të djeshëm të Avni Arifit në Berlin.
Ai ka thënë se ka qenë kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare, që Arifi në cilësinë e ish-koordinatorit për dialogun me Serbinë të tregojë se në cilën fazë ka mbetur procesi i dialogut në Bruksel.
“Takimi ka qenë për të parë se ku ka mbetur dialogu. Meqenëse, ai ka qenë dikur udhëheqës i dialogut dhe koordinator, atëherë e kanë ftuar të shpjegojë si ka qenë dialogu, deri ku ka arritur dhe si duhet të vazhdohet më tutje. Por, kjo konsideroj se është më shumë një kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare për të parë se si mund të zhvillohet dialogu në të ardhmen”.
Nënkryetari i AAK-së ka siguruar se me Serbinë nuk do të diskutohet për “tema të brendshme”, gjë që sipas tij ka ndodhur nga qeveritë e kaluara.
Madje, sipas tij, dialogu me Serbinë nuk duhet të vazhdojë pa njohjen nga Serbia.
“Pa e njohur Serbia Kosovën, absolutisht Kosovën nuk duhet të lëshojë pe në asnjë temë të caktuar sepse, përfundimi i dialogut që është logjikë duhet të jetë me njohje reciproke. Këtë e ka në agjendë edhe Bashkësia Ndërkombëtare. Mendojmë se në tema tjera nuk duhet të hyhet pa u njohur Kosova me Serbinë”.
“E dimë se do të jetë proces i vështirë sepse me Serbinë derisa të ekzistojë një mentalitet i tillë i bartur nga koha e Millosheviqit. Megjithatë ne këmbëngulim që njohja të ndodhë sepse mohon mundësinë e konfliktit mes dy vendeve. Nëse Serbia nuk na njeh neve nuk ka bëhet vonë”, tha ai.
Ahmeti thotë se qeveritë e kaluara kanë dërguar tema të brendshme të Kosovës në tavolinën në Bruksel, raporton EO.
Madje thotë se në disa raste është shkelur Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, ndërsa është ndërhyrë në interesat e ngushta të vendit.
Këto gabime sipas tij nuk do të ndodhin më.