Anëtari i Komisionit për rishikimin e kufirit me Malin e Zi, Florim Isufi, i është përgjigjur pyetjeve të deputetëve rreth fakteve që deri më tani ka gjetur komisioni për rishikimin e kufirit, prej ku bazojnë pohimet e tyre se kufiri me Malin e Zi ka lëvizur.
Isufi ka pohuar se kanë siguruar dokument ku tregohet shtrembërimi i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Ai ka prezantuar dy harta të cilat sipas tij kanë shtyrjen e kufirit, duke shtuar se hartat që posedon shteti fqinjë ndryshojnë me ato që posedon Kosova.
Kjo duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, i cili kërkoi nga Bulliqi që të raportojë rreth vizitës që i ka bërë në Slloveni dhe Kroaci. Por për këtë çështje foli Isufi.
“Vizita zyrtare që kemi pasur në Kroaci dhe Slloveni na ka rezultuar pozitiv. Kemi gjetur dokumentacione hartografike të kërkuar nga qeveria e Malit të Zi në vitin 1948 pas kushtetutës që të përmbyll territorin e vet. Ai kufi, deshëm a nuk deshëm ne përputhet me vijën kufitare që e kemi në hartat topografike deri në vitin 1979. Do të thotë ekziston vetëm një kopje në njërën nga këto shtete dhe na kanë dhënë vetëm një kopje që tregon se ka pasur lëvizje të kufijve”.
Kryetari i Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror Shpejtim Bulliqi duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve tha se mandati i tyre nuk është të bëjnë demarkacion. Bulliqi ka thënë se ky komision është i përhershëm dhe jo me mandat të kufizuar.
“Ju kisha lutë që ta lexoni vendimin e Qeverisë për ta parë se cila është puna jonë. Merreni, konsultohuni sepse ne jemi duke punuar për atë mandat. Ne nuk jemi duke ba demarkacion me Malin e Zi. Mandati i dytë na është dhënë për me analizua dhe vlerësua punën e ish-komisionit shtetëror për shënjimin edhe mirëmbajtjen e kufirit”.
Zejnullah Gruda tha se nga gjetjet e tij që ai ka vërtetuar se Kosova me Malin e Zi nuk ka Marrëveshje për demarkacion, por ka marrëveshje për kufi.
“Neni 4 i kësaj marrëveshjeje thotë se kufiri shtetërore ndërmjet palëve do të shënohet me shenja kufitare (paragrafi i parë). Paragrafi i dytë thotë se kufiri shtetëror ndërmjet palëve do të shënohet në periudhën prej dy viteve nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje. Do të thotë, për Demarkacionin ne ende nuk i kemi kushtet formale për të biseduar, është bërë marrëveshje për kufi”.