Ish-udhëheqësi separatist i Katalonjës, Carles Puigdemont, është ndaluar në Sardenjë të Italisë sipas një fletarrestimi të lëshuar nga Spanja.
Spanja e ka akuzuar atë për nxitje të kryengritjes, duke thënë se ai ka ndihmuar në organizimin e referendumit për pavarësinë e Katalonjës në vitin 2017. Ky referendum më vonë u vlerësua si i paligjshëm.
Ish-presidenti i rajonit që për një kohë të gjatë është përpjekur që të pavarësohet nga Spanja ishte arratisur nga vendi pas referendumit. Ai filloi të jetonte në Belgjikë dhe është deputet i Parlamentit Evropian.
Avokati i tij tha se Puigdemont pritet të paraqitet në një gjykatë të premten dhe mund të ekstradohet, shkruan BBC.
Puigdemont fillimisht kishte imunitet nga ndjekja penale, pasi ishte zgjedhur deputet i Parlamentit Evropian më 2019, por ky imunitet iu hoq në mars.
Zyra e tij tha se politikani u arrestua në aeroportin Alghero të enjten pasdite. Puidgemont kishte udhëtuar drejt Italisë për të marrë pjesë në një festival të folklorit katalonas, tha avokati i tij.