Izraeli sulmoi caqe të Hamasit në Rripin e Gazës, disa orë pasi një raketë goditi një shtëpi në veri të Tel Avivit.
Forca Mbrojtëse e Izraelit tha se shënjestra të sulmeve ishin zyra e udhëheqësit politik të Hamasit dhe selia e inteligjencës ushtarake të këtij grupi.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se shtatë vetë u plagosën në sulme.
Izraeli më herët fajësoi Hamasin – grup militant islamik që kontrollon Gazën qysh në vitin 2007 – për lëshimin e raketës që goditi komunitetin izraelit Mishmeret, duke plagosur shtatë njerëz.
“Izraeli nuk do ta tolerojë këtë. Unë nuk do ta toleroj këtë”, tha kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili e ndërpreu vizitën në Uashington për t’u kthyer në vendin e tij.
“Do të bëjmë gjithçka të mundur për të mbrojtur popullin tonë dhe shtetin tonë”, tha Netanyahu.
Një zyrtar i Hamasit tha se grupi “nuk ka pasur interes” të hedhë raketën.
Sipas disa njoftimeve, shkollat në komunitetet izraelite pranë kufirit me Gazën u mbyllën të martën.
Izraeli dhe Hamasi kanë luftuar tri luftëra.
Konflikti i madh i fundit, më 2014, ka zgjatur 50 ditë dhe ka përfunduar me 2,000 palestinezë të vrarë, përfshirë qindra civilë, dhe me 73 të tjerë të vrarë nga ana izraelite.